Lulzim Basha dëshmon në SPAK për ngjarjen e 21 janarit
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme pasditen e së enjtes. Ai është thirrur për t’u marrë në pyetje në lidhje me sulmin me armë zjarri nga ana e punonjësve të Gardës së Republikës ndaj protestuesve gjatë ngjarjes së 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër qytetarë.
Burime nga SPAK i thanë BIRN se Lulzim Basha është thirrur për t’u pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi ngjarjen, në cilësinë e ish-ministrit të Brendshëm.
SPAK ka regjistruar procedim penal për ngjarjen e 21 janarit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika kundër ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.
Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë gjatë protestës së Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, se kanë urdhëruar të qëllohet me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.
Aleks Nika ishte një nga katër viktimat e protestës së dhunshme të 21 janarit 2011. Mbështetësit e Partisë Socialiste, atë kohë në opozitë, u përplasën me Policinë dhe Gardën e Republikës para selisë së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Protesta ishte thirrur nga Partia Socialiste pas publikimit të një videoje ku ministri i Jashtëm i kohës, Ilir Meta, akuzohej se po diskutonte një aferë korruptive.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga ana e Gardës së Republikës, më 21 janar 2011, përveç Aleks Nikës, humbën jetën edhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe u plagosën 10 protestues të tjerë.
Për vrasjen e Dedës, Myrtajt dhe Veizit, Prokuroria procedoi penalisht ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, duke kërkuar dënimin e tyre me 23 vjet dhe 25 vjet burgim respektivisht. Me 18 shtator 2013, Gjykata e Apelit në Tiranë e dënoi Prendin me 1 vit heqje lirie dhe Llupon me 3 vjet, duke arsyetuar se vrasjet ishin bërë nga pakujdesia. Ky vendim kontrovers solli reagime të ashpra.
Ndërkohë, vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, si dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, kishin mbetur pa autorë. Prokuroria e kishte pezulluar hetimin për vite me radhë në kërkim të provave.
Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pasi në nëntor 2023, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) konstatoi se hetimet e mangëta për këtë ngjarje kishin cenuar të drejtën e jetës së viktimave.
GJEDNJ, në vendimin e saj të nëntorit 2023, i kërkoi Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 para Kryeministrisë”. GJEDNJ konstatoi gjithashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës, dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata kërkoi që hetimet të përfshijnë zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.