“`html
Instituti i Bashkive: Bashkitë e Papërgatitura për Indeksim, 50% e Kostos të Mbulohet nga Buxheti
Instituti për Bashkitë e Shqipërisë vlerëson pozitivisht projektvendimin për indeksimin e pagave të administratës së pushtetit vendor. Megjithatë, ai rekomandon që 50% e kostos financiare që do të vijë nga politika e rritjes së pagave të mbulohet nga buxheti i shtetit.
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hartuar projektvendimin për indeksimin e pagave të punonjësve të pushtetit vendor. Ky projektvendim parashikon një efekt prej 143 milionë lekësh në muaj për rritjen e pagës minimale dhe për punonjësit mbështetës.
Sipas projektvendimit, ky efekt për vitin 2026 do të përballohet nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të këtyre njësive.
Në reagimin e Institutit të Bashkive të Shqipërisë theksohet se bashkitë janë të papërgatitura financiarisht për zbatimin e këtij vendimi.
Instituti thekson:
- “Instituti vëren se këto ndryshime i gjejnë bashkitë të papërgatitura në kuadër të buxheteve afatmesme dhe përballë nevojave të larta financiare për garantimin e shërbimeve publike dhe realizimin e investimeve vendore.”
Në këtë kuadër, Instituti u bën thirrje bashkive të kryejnë llogaritjet financiare përkatëse dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e menjëhershëm të vendimit.
Njëkohësisht, Instituti për Bashkitë e Shqipërisë rekomandon që Qeveria Shqiptare të shqyrtojë mbulimin e të paktën 50% të kostos financiare që rrjedh nga indeksimi i pagave, përmes transfertave shtesë ose mekanizmave të posaçëm mbështetës.
“Një qasje e tillë do të siguronte zbatim të njëtrajtshëm të vendimit në të gjitha bashkitë, do të mbronte qëndrueshmërinë financiare vendore dhe do të shmangte ndikimin negativ në cilësinë e shërbimeve dhe investimeve publike.”
Instituti mbetet i angazhuar të mbështesë bashkitë dhe institucionet qendrore përmes dialogut, asistencës teknike dhe advokimit institucional, me qëllim që rritja e pagës minimale të shndërrohet në një përfitim real dhe të qëndrueshëm për punonjësit dhe për komunitetet vendore, thuhet në reagim.
“`
