Bastoni pranon simulimin: “E theksova rënien, më vjen keq për gjyqtarin”
Alesandro Bastoni ka thyer më në fund heshtjen, tre ditë pas episodit të fundjavës në Serinë A, ku gjatë ndeshjes Inter-Juventus, një simulim i tij solli ndëshkimin me karton të kuq për Kalulu. Mbrojtësi i Interit është shfaqur para mediave në konferencën përpara ndeshjes kundër Bran, duke pranuar hapur se kishte simuluar dhe se e vetmja gjë për të cilën kishte keqardhje, ishte reagimi i tij dhe vuajtja që i shkaktoi gjyqtarit.
“Doja të isha këtu për të dhënë versionin tim të ngjarjeve të së shtunës. Ishte e drejtë dhe e përshtatshme të tregoja veten dhe të shpjegoja ndjesitë e mia. Kur ndjeva kontaktin, e theksova rënien. E them këtë pa problem. Ajo për të cilën pendohem është reagimi im më pas, i cili ishte shumë i keq, pasi isha në versionin tim më konkurrues. Më vjen keq që reagova në atë mënyrë. Mendoj se është po aq e drejtë që karriera ime dhe personi im të mos përkufizohen nga ai episod.”
Bastoni shtoi: “Pasi e them këtë, nuk prisja të krijoja kaq shumë bujë. Gjithashtu vura re shumë shpifje dhe sjellje të rreme. Kam dëgjuar shumë njerëz që janë pjesë e sportit të thonë gjëra që nuk ekzistojnë as në qiell e as në tokë. I falënderoj ata që thanë gjërat e duhura, domethënë, që gabohesha. Personalisht ky episod nuk më ka lënë shenjë, më vjen keq, por jam në gjendje të menaxhoj çdo situatë.”
Ai vijoi më tej: “Më vjen keq për gruan dhe familjen time, gruaja ime ka parë kërcënime me vdekje dhe më vjen keq gjithashtu edhe për gjyqtarin La Pena, pasi janë persona që nuk janë kaq të ekspozuar ndaj gjërave të tilla. Nga ana psikologjike jam mirë, ka ndodhur e njëjta gjë edhe në anën tjetër me Liverpulin. Virc nuk u ekspozua ndaj këtyre gjërave për penalltinë. Trajneri ishte koherent duke thënë të njëjtën gjë, e përsëris sepse është kritikuar për gjëra të tilla. Ekziston dëshira për të zbritur në fushë përsëri dhe ky episod nuk ka ndikuar tek unë.”
