BE: 3 opsione për mbështetjen financiare të Ukrainës

Ursula von der Leyen: Tre opsione për mbështetjen financiare të Ukrainës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një letër drejtuar qeverive të Bashkimit Evropian më 17 nëntor, ka parashtruar tre opsione për të përmbushur nevojat financiare të Ukrainës. Një nga këto opsione përfshin një hua të garantuar nga asetet e ngrira ruse, ndërsa është gjithashtu e mundur kombinimi i të tre opsioneve.

Muajin e kaluar, udhëheqësit e BE-së u dakorduan për të përmbushur “nevojat urgjente financiare” të Ukrainës për dy vitet e ardhshme. Megjithatë, nuk u miratua një plan për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar një hua të madhe për Kievin, për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Belgjika.

Udhëheqësit e të gjitha vendeve të BE-së, me përjashtim të Hungarisë, i kanë kërkuar Komisionit Evropian të propozojë opsione për mbështetjen financiare të Ukrainës, vend ky që po lufton kundër Rusisë që nga viti 2022.

“Ne kemi identifikuar tri opsione kryesore: mbështetje e financuar nga shtetet anëtare përmes granteve, një hua me përgjegjësi të kufizuar e financuar nga Bashkimi Evropian duke marrë hua në tregjet financiare, ose një hua me përgjegjësi të kufizuar e lidhur me bilancet e parave të aseteve të ngrira”, ka deklaruar von der Leyen në letër, sipas raportimit të Reuters.

Në një dokument opsionesh, të bashkëngjitur letrës, Von der Leyen ka shtuar se tri opsionet nuk përjashtojnë njëra-tjetrën dhe mund të kombinohen ose të zbatohen njëra pas tjetrës.

“Duke pasur parasysh urgjencën e situatës, kompleksitetin e ndryshëm të opsioneve dhe nevojën për të nisur shpërndarjet deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, çdo opsion i zgjedhur mund të dizajnohet si kalimtar dhe i kufizuar në kohë”, thuhet në dokument.

Si shembull, dokumenti përmend se opsioni i mbështetjes financiare pa mundësi kthimi, të financuar nga vendet anëtare, dhe opsioni i huamarrjes nga BE-ja në tregjet financiare mund të shërbejnë si zgjidhje të përkohshme, deri sa të miratohet buxheti i ri afatgjatë i bllokut, që hyn në fuqi më 2028. Këto opsione gjithashtu mund të shërbejnë si garanci për kreditë e financuara nga BE-ja.

Dokumenti vlerëson se nevoja financiare e Ukrainës për vitet 2026-2027 arrin në 135.7 miliardë euro. Propozimi i KE-së për përdorimin e aseteve të ngrira ruse do të prodhonte një hua prej 140 miliardë eurosh, duke mbuluar nevojat e Kievit. Nëse zgjidhet opsioni i granteve, Ukraina do të kishte nevojë për të paktën 90 miliardë euro nga vendet anëtare të BE-së për dy vitet e ardhshme, thuhet në dokument.

Në letrën e saj, Von der Leyen i ka theksuar kryeqyteteve evropiane nevojën për një vendim të shpejtë. “Tani do të jetë kyç të arrihet shpejt një angazhim i qartë mbi mënyrën se si do të sigurohet që financimi i nevojshëm për Ukrainën të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian në muajin dhjetor”, ka thënë ajo.

Nga 135.7 miliardë euro të nevojshme gjatë dy viteve, Ukraina do të kishte nevojë për 83.4 miliardë euro vetëm për ushtrinë dhe 52.3 miliardë për shpenzime të tjera, sipas dokumentit. Nevojat do të jenë më të mëdha në vitin 2026, duke arritur në 71.7 miliardë euro, dhe më të vogla në vitin 2027, 64 miliardë euro.

Scroll to Top