BE: Arrestimi i shtetasve të Kosovës nga Serbia shkel marrëveshjen e vitit 2015
Bashkimi Evropian deklaroi se arrestimi i fundit nga Serbia i një veterani të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përbën “një shkelje tjetër” të angazhimeve të Serbisë sipas Marrëveshjes për dialog dhe drejtësi të vitit 2015.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, theksoi se “Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është zotuar të mos iniciojë hetime penale apo ndjekje penale për krime të pretenduara të kryera në Kosovë, përveç nëse një kërkesë e tillë vjen nga autoritetet e Kosovës. Juridiksioni mbi pretendimet për krime lufte dhe vepra të tjera serioze i takon institucioneve të Kosovës. I bëjmë thirrje Serbisë të respektojë zotimet e saj.”
Më 5 shkurt, autoritetet serbe arrestuan Mitehat Llozanin teksa ai hyri në territorin serb nga kufiri me Kroacinë. Sipas autoriteteve serbe, Llozanin dyshohet për krime kundër popullatës civile në Beograd.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar angazhimin e komunitetit ndërkombëtar lidhur me këtë çështje.
Serbia pretendon se personi i arrestuar dyshohet të ketë kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit gjatë viteve 1998 dhe 1999, “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe dhe ushtrisë jugosllave”.
Në njoftim thuhet gjithashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve.”
Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, ku vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.
Gjatë viteve ’90, Serbia e cilësoi UÇK-në si një organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja ishte organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave.
