BE fut Kosovën në listën e vendeve të sigurta të origjinës

BE fut Kosovën në listën e vendeve të sigurta në legjislacionin për azilkërkuesit

Këshilli i Bashkimit Evropian e ka përfshirë Kosovën, të hënën, në listën e vendeve të sigurta të origjinës, me qëllim përshpejtimin e kthimit të migrantëve dhe vështirësimin e kërkesave për azil nga qytetarët e këtyre vendeve në BE.

Krahas listës për vendet e sigurta të origjinës, Këshilli arriti pajtueshmëri edhe për konceptin e vendeve të treta të sigurta. Blloku synon që këto akte ligjore të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore të vendeve të sigurta në legjislacionin e BE-së për azil, duke vendosur procedura më të shpejta dhe më efektive azili për ata persona që nuk përfitojnë mbrojtje brenda BE-së.

Së bashku me Kosovën, në listën e vendeve të sigurta të origjinës janë futur edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia. Këshilli tani duhet të arrijë pajtueshmëri me Parlamentin Evropian për tekstin përfundimtar ligjor lidhur me këto dy akte.

“Sot, u pajtuam për listën e parë ndonjëherë të BE-së për vendet e sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit, si edhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Ky është një moment i rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”, theksoi ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund.

Kjo masë nënkupton se azilkërkuesit që vijnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen më lehtësisht me refuzimin e kërkesave të tyre dhe me urdhër kthimi.

Sipas Këshillit, çdo vit dhjetëra mijëra njerëz mbërrijnë në Evropë duke kërkuar azil, edhe pse largohen nga vende të sigurta ku zakonisht nuk ka rrezik përndjekjeje.

Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024. Kërkesa më të shumta për azil janë regjistruar vetëm në vitet 2015/2016, kur dhjetëra mijëra kosovarë emigruan drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.

Franca ka qenë destinacioni kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE që nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

Sipas rregullores së procedurës së azilit 2024, e miratuar si pjesë e Paktit për Azilin dhe Migracionin, shtetet anëtare duhet të zbatojnë një procedurë të përshpejtuar për aplikantët nga një vend i sigurt i origjinës dhe mund ta kryejnë atë në kufi ose në zonat e transitit.

Rregullat për vendet e sigurta të origjinës bazohen në supozimin se aplikantët nga këto vende gëzojnë mbrojtje të mjaftueshme kundër rrezikut të përndjekjes ose shkeljeve serioze të të drejtave të tyre themelore.

Komisioni Evropian paraqiti këto dy akte të reja ligjore në fillim të këtij viti./ REL

Scroll to Top