BE-ja trajnon trupa ukrainase, synon reformësimin e sigurisë evropiane

Rusia synon riformësimin e rendit të sigurisë evropiane, BE shqyrton mundësinë e trajnimit të trupave brenda Ukrainës

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e ofrimit të trajnimit për trupat ukrainase brenda territorit të Ukrainës, si dhe zgjerimin e formave të tjera të mbështetjes. Këto përfshijnë monitorimin e kufijve, ndihmën për veteranët e luftës dhe forcimin e sigurisë kibernetike të Ukrainës. Brukseli po merr në konsideratë edhe krijimin e pozicioneve në Ukrainë në rast të një armëpushimi të ardhshëm.

Ky informacion bazohet në rishikime strategjike të dy misioneve të BE-së që kanë të bëjnë me Ukrainën, të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë:

  • Misioni Këshillues i BE-së (EUAM): Fokusohet në forcimin e sigurisë së sektorit civil.
  • Misioni i BE-së për Mbështetje Ushtarake (EUMAM): Deri më tani ka trajnuar 80.000 ushtarë ukrainas në territorin e BE-së.

Këto rishikime vijnë në një kohë kur BE-ja po diskuton garancitë e sigurisë që mund t’i ofrojë Kievit pas përfundimit të luftës. Dokumentet theksojnë se Rusia “vazhdon ta ketë objektiv të saj reformimin e rendit të sigurisë evropiane” dhe se “agresioni ushtarak dhe qasja e Moskës ndaj procesit diplomatik tregojnë se qëllimi i saj përfundimtar për të nënshtruar Ukrainën nuk ka ndryshuar.”

Ndërkohë që dislokimi i trupave në Ukrainë konsiderohet nga shumë vende si garancia më e madhe e sigurisë, ky vendim mbetet çështje e secilit shtet anëtar. Megjithatë, misionet trajnuese të BE-së i mundësojnë Brukselit të ofrojë mbështetje të gjerë për Kievin. Ndryshimi i mandatit të EUMAM-it dhe EUAM-it kërkon unanimitet, dhe sipas dokumenteve, ky proces po ndiqet.

EUMAM – Një histori suksesi

Misioni EUMAM, i lansuar në fund të vitit 2022 si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj pushtimit rus, është cilësuar si një nga historitë e suksesit të BE-së në mbështetjen e Ukrainës. Pesëmbëdhjetë brigada luftarake janë trajnuar në 18 shtete anëtare të BE-së, me mbi 1.750 module trajnimi, përfshirë stërvitje me avionë luftarakë si F-16 dhe Mirage. Këto operacione janë kryer me një buxhet relativisht modest prej 360 milionë eurosh.

Kievi ka shprehur vazhdimisht dëshirën që trajnimi të zhvillohet edhe në tokën ukrainase dhe synon të rrisë numrin e ushtarëve të trajnuar nga 4.000 në 20.000 në muaj.

Rishikimi strategjik i EUMAM-it tregon se tre qendra trajnimi janë ngritur në pjesën perëndimore të Ukrainës, por ato nuk janë plotësisht funksionale për shkak të mungesës së infrastrukturës adekuate dhe trajnerëve të kualifikuar nga jashtë. Dokumenti përmend mangësi të lidhura me mungesën e pranisë së misionit të BE-së në terren në Ukrainë, siç janë barra logjistike dhe rreziku që ushtarët ukrainas marrin duke udhëtuar larg vijës së frontit për t’u trajnuar.

Gjithashtu, theksohet se “trajnimi në territorin e BE-së, në një mjedis paqësor, e pengon përdorimin e sistemeve UAV [fluturakeve pa pilot, të njohura edhe si dronë] dhe pajisjeve luftarake elektronike, që janë përdorur gjerësisht në këtë konflikt”.

Ekziston rreziku që vende të tjera të dërgojnë trajnerë në Ukrainë nëse Brukseli ngurron. Megjithatë, zhvendosja e EUMAM-it në Ukrainë do të kërkonte një armëpushim ose një marrëveshje të përkohshme dhe duhet të koordinohet me mbështetjen e SHBA-së.

Për të mundësuar një dislokim të shpejtë në Ukrainë, rishikimi strategjik propozon një proces me dy hapa: së pari, dakordësimin e drejtimit të ri strategjik dhe rishikimin e planit të misionit, dhe së dyti, votimin dhe miratimin e ndryshimeve të nevojshme sapo kushtet në terren të lejojnë.

Përgatitja e Ukrainës për anëtarësim në BE

Ndërsa EUMAM-i është relativisht i ri dhe nuk është i pranishëm brenda Ukrainës, EUAM-i ka operuar në disa qytete ukrainase që nga viti 2014, pas “Revolucionit të Dinjitetit”. Ky mision ka vazhduar punën edhe pas fillimit të pushtimit, megjithëse ka qenë i detyruar të largohet nga zyrat në Harkiv dhe Mariupoil për shkak të luftës.

Rreth 400 anëtarë të EUAM-it punojnë aktualisht me sektorët civilë të sigurisë, përfshirë Policinë, Gardën Kombëtare, Prokurorinë e Shtetit dhe Rojet Shtetërore të Kufirit. Qëllimi kryesor mbetet reformimi i këtyre institucioneve sipas standardeve të BE-së për mbikëqyrje civile dhe qeverisje, me synim përgatitjen e vendit për anëtarësim eventual në bllokun evropian.

Rishikimi strategjik i EUAM-it sugjeron fusha të reja për misionin, siç janë mbështetja për aftësinë e Ukrainës për të monitoruar kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë, si dhe prania në linjat e kontaktit të ardhshëm, në rast armëpushimi. Ide të tjera të reja përfshijnë ndihmën në sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Dokumenti përmend se gjatë vitit të kaluar janë arrestuar rreth 600 persona të lidhur me Rusinë për aktivitete subversive në Ukrainë. Brukseli ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në riintegrimin e veteranëve të luftës në sektorët e sigurisë civile dhe mbrojtjes civile./REL

Scroll to Top