BE kërcënon TikTok-un me gjobë për dizajnin që krijon varësi, sidomos tek fëmijët
Bashkimi Europian i ka kërkuar shërbimit online kinez TikTok të ndryshojë mënyrën e funksionimit të platformës së videove, pasi dyshohet se ajo nxit varësinë, veçanërisht tek fëmijët, përmes rekomandimeve agresive që inkurajojnë shfletimin e pafund. Platforma duhet ta përshtasë dizajnin e saj.
Komisioni Europian ka deklaruar se rezultatet paraprake të hetimit tregojnë se TikTok nuk i merr në konsideratë mjaftueshëm mënyrat se si funksionet që nxisin varësinë mund të ndikojnë në shëndetin fizik dhe mendor të përdoruesve.
Si shembuj për ndryshimet e nevojshme, Komisioni përmend heqjen e mundësisë së “shfletimit të pafund”, vendosjen e pauzave efektive gjatë përdorimit të ekranit, si dhe përshtatjen e “sistemit të rekomandimeve për personalizim në shkallë të lartë”. Gjithashtu, Komisioni kritikon faktin që video-klipet aktivizohen automatikisht.
Komisioni Europian i kërkon kompanisë të ndryshojë rrënjësisht dizajnin e shërbimit.
Kritika: Fëmijët inkurajohen në mënyrë imponuese të shfletojnë
Komisioni Europian akuzon TikTok-un se “injoron sinjalet e rëndësishme për të nxitur përdorimin e aplikacionit”, siç është rasti me orët e vona të natës që fëmijët kalojnë në platformë. Komisionerja Europiane për Dixhitale, Henna Virkkunen, tha se kompania duhet ta ndryshojë mënyrën e funksionimit në Europë “për të mbrojtur të miturit tanë dhe shëndetin e tyre”.
Si shembull, Komisioni përmend “shpërblimin” e vazhdueshëm të përdoruesve me përmbajtje të reja. Kjo nxit vazhdimin e shfletimit dhe kalimin e trurit në “autopilot”, duke çuar në një gjendje kompulsive dhe duke dëmtuar vetëkontrollin, kryesisht tek të rinjtë.
Digital Services Act (DSA) – njohur si “halë në sy” për Donald Trump
Brukseli nisi hetimin në shkurt 2024, i pari kundër TikTok nën Ligjin e BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA). Hetimet do të përqendroheshin kryesisht nëse TikTok ndërmerr masa të mjaftueshme për të parandaluar efektet negative tek të rinjtë. Ligji DSA synon të garantojë respektimin e kërkesave për transparencë dhe të luftojë përmbajtjet antiligjore online. Ky ligj shihet si “një halë në sy” për qeverinë e presidentit amerikan Donald Trump, si dhe për disa koncerne të teknologjisë së lartë në SHBA.
TikTok i hedh poshtë akuzat dhe do të mbrohet
Kompania kineze online i ka hedhur poshtë akuzat e Komisionit të BE-së si të pabaza. TikTok deklaron se do të mbrohet me të gjitha mundësitë. Nëse qëndrimi i Komisionit konfirmohet, TikTok-u mund të gjobitet me një shumë deri në gjashtë për qind të xhiros së tij vjetore mbarëbotërore.
