Titulli origjinal: BE kërkon një furnizues tjetër, duhet zvogëluar varësia nga gazi amerikan
Bashkimi Evropian duhet të intensifikojë përpjekjet për të diversifikuar dhe ulur varësinë nga gazi natyror i lëngshëm (GNL) amerikan. Këtë e theksoi të mërkurën shefi i energjisë i BE-së, Dan Jorgensen, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për një kontroll të mundshëm të Grenlandës.
Duke i cilësuar ngjarjet e ditëve të fundit si një “sinjal të qartë paralajmërues”, Jorgensen nënvizoi se paqëndrueshmëria gjeopolitike tregon se marrëdhëniet energjetike të BE-së janë të ndikuara nga goditjet e sigurisë.
“Këto janë kohë shumë të trazuara. Ajo që e ka bërë situatën më serioze dhe më të komplikuar janë marrëdhëniet e tensionuara me SHBA-në dhe fakti që kemi një president amerikan që nuk përjashton përdorimin e forcës kundër Grenlandës”, u shpreh Jorgensen për gazetarët gjatë një konference për shtyp në Bruksel.
Mediat e huaja raportojnë se SHBA furnizon më shumë se një të katërtën e gazit që konsumon BE-ja. Jorgensen sqaroi se Komisioni Evropian po kërkon alternativa jashtë SHBA-së dhe po planifikon të forcojë lidhjet energjetike me disa vende në muajt e ardhshëm, duke përfshirë Kanadanë, Katarin dhe Algjerinë.
Ai theksoi se Brukseli nuk dëshiron një luftë tregtare me Uashingtonin. “Nuk ka qenë kurrë politika jonë të reduktojmë tregtinë me SHBA-në dhe nuk duam konflikte tregtare. Por është gjithashtu e qartë se trazirat gjeopolitike… ka qenë një orë alarmi. Ne duhet të jemi në gjendje të kujdesemi për veten tonë.”
Komisioneri shtoi se ai nuk kishte folur ende me homologun e tij amerikan pas komenteve të Trump për Grenlandën dhe se BE-ja nuk ka vendosur një kufi zyrtar se sa GNL nga SHBA do të konsiderohet i tepërt.
