BE kërkon garanci për shtetin palestinez pas armëpushimit

Brukseli: Paqe e qëndrueshme vetëm me garanci për shtetin palestinez

Bashkimi Europian do t’i kërkojë presidentit amerikan Donald Trump të sigurojë që marrëveshja e armëpushimit të mos minojë të ardhmen e një shteti palestinez, sipas një projekt-dokumenti.

Një dokument katër-faqësh, hartuar nga shërbimi i jashtëm i bllokut dhe i parë nga Politico para takimeve të ministrave të jashtëm dhe liderëve javën e ardhshme, tregon se zyrtarët po përpiqen të maksimizojnë ndikimin e BE-së në zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Uashingtoni, për të garantuar paqe të qëndrueshme.

Meqenëse gjithnjë e më shumë qeveri europiane po njohin shtetësinë palestineze, ka nevojë të “forcohet narrativa pozitive mbi zgjidhjen me dy shtete, përfshirë duke nxjerrë në pah rolin e BE-së”, thuhet në dokument.

Krahu diplomatik i BE-së, Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS), propozon të “aktivizohen më tej kanalet diplomatike drejt SHBA-ve” që marrëveshja të zbatohet në një mënyrë që të mos “minojë qëndrueshmërinë” e Autoritetit Palestinez.

Trump javën e kaluar njoftoi një armëpushim të ndërmjetësuar mes Hamasit dhe qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanjahu, duke hapur rrugën për lirimin e pengjeve izraelitë të mbijetuar dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.

Tani, EEAS po kërkon mbështetje nga kryeqytetet për të lobuar që të hiqen pengesat ekonomike dhe financiare që përballen institucionet palestineze, si dhe për të rritur presionin ndaj kolonëve izraelitë që aneksojnë ilegalisht territor në Bregun Perëndimor.

Po ashtu propozon angazhim me qeverinë izraelite, Egjiptin, Katarin dhe Turqinë “për të vijuar shfrytëzimin e presionit mbi Hamasin për zbatim të plotë të planit”.

Deri në fund të vitit, dokumenti propozon të sigurohet “rrjedha e ndihmave në shkallë të gjerë në dhe brenda Gazës”, si edhe rishpërndarjen e misionit civil të ndihmës në pikëkalimin e Rafahut, EUBAM, si prani palë e tretë për të garantuar kalimin e njerëzve.

Nëse vendet anëtare japin dritën jeshile, BE-ja do të synojë gjithashtu “të eksplorojë monitorimin dhe këshillimin mbi transferimin e mallrave”.

Brukseli shpreson gjithashtu ta bindë Izraelin të heqë kufizimet ndaj OJQ-ve humanitare që veprojnë në territoret palestineze.

Në afat më të gjatë, BE-ja dëshiron të luajë rol në çminimin e territorit, rindërtimin e Gazës së shkatërruar nga lufta, investimet dhe lehtësimin e tregtisë.

Ajo synon të përdorë Erasmus-in, skemën e shkëmbimeve arsimore që më herët kishte kërkuar ta kufizonte për Izraelin, si një mjet për të ndërtuar besim mes komuniteteve.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi në shtator se do të sillte përpara sanksione ndaj ministrave izraelitë dhe do të kërkonte tkurrjen e bashkëpunimit ekonomik me vendin, si përgjigje ndaj krizës humanitare në Gaza.

Megjithatë, siç raportoi Politico më herët të premten, pritet që planet të mbeten pezull pas marrëveshjes amerikane, me kryeqytetet që shprehin skepticizëm për nevojën e këtij hapi si rezultat i zhvillimeve gjeopolitike.

Disa vende që kishin shtyrë për një qëndrim më të ashpër shprehën zhgënjim për kohën e gjatë që i desh BE-së për t’i paraqitur këto plane.

Scroll to Top