Analiza e DW: Vendet e BE japin dritë të gjelbër për Mercosur
Përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë hapur rrugën për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Mercosur-in dhe me vendet e Amerikës së Jugut. Shumica e 27 vendeve anëtare të BE, që përfaqësojnë 65% të popullsisë së bllokut, kanë rënë dakord të avancojnë me propozimin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mund të nënshkruajë javën e ardhshme marrëveshjen me partnerët e BE në Mercosur, duke përfshirë Brazilin, Paraguain, Argjentinën dhe Uruguain. Megjithatë, marrëveshja ende duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian para se të hyjë në fuqi.
Jo të gjithë anëtarët e BE janë dakord
Edhe pse marrëveshja do të miratohet nga shumica e nevojshme, disa aktorë kryesorë nuk e kanë mbështetur atë. Presidenti francez Emmanuel Macron konfirmoi se vendi i tij nuk do ta miratonte marrëveshjen, duke deklaruar se forcat politike franceze ishin “unanime” në refuzimin e saj. Macron theksoi se marrëveshja BE-Mercosur është një marrëveshje nga një epokë tjetër, e negociuar për shumë gjatë mbi baza të vjetruara.
Marrëveshja BE-Mercosur, e cila nëse ratifikohet do të krijonte një nga blloqet më të mëdhenj të tregtisë së lirë në botë, ishte planifikuar fillimisht të nënshkruhej në Brazil në dhjetor. Megjithatë, ajo u përball me rezistencë nga disa shtete anëtare, përfshirë Italinë, Francën dhe Poloninë, dhe u desh të shtyhej.
Gjermania lëvdon marrëveshjen “historike”
Gjermania, e cila prej kohësh ka mbështetur marrëveshjen, e mirëpriti atë. Berlini shpreson se marrëveshja do të ofrojë mundësi të reja tregu për ekonominë gjermane, e cila varet nga eksportet dhe ka pasur vështirësi të dalë nga një periudhë e gjatë stanjacioni.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi miratimin e Marrëveshjes BE-Mercosur si një pikë kthese në politikën tregtare evropiane dhe një sinjal të rëndësishëm të sovranitetit strategjik dhe aftësisë për të vepruar të bllokut.
Ministri i Financave të Gjermanisë, Lars Klingbeil, gjithashtu e vlerësoi marrëveshjen si një shtysë të nevojshme për tregtinë e lirë. Ai shtoi se ndërsa të tjerët po izolojnë veten dhe ndjekin politika tregtare gjithnjë e më agresive, BE po përqendrohet te partneritetet e reja.
Pritjet nga marrëveshja
Marrëveshja synon të diversifikojë tregtinë përballë tarifave amerikane dhe do të afrojë shtetet anëtare të BE me Brazilin, Paraguain, Argjentinën dhe Uruguajin, duke eliminuar tarifat e importit për më shumë se 90% të produkteve. BE thotë se kompanitë në bashkësi do të kursejnë miliarda në tarifa çdo vit dhe se kjo do të ndihmojë eksportet e automjeteve, makinerive, verërave dhe pijeve alkoolike në Amerikën Latine.
Komisioneri i BE për Tregtinë, Maros Sefcovic, e përshkroi atë si marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë të negociuar ndonjëherë nga BE. Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva theksoi në dhjetor se marrëveshja ka mundësinë për të dërguar një mesazh të rëndësishëm botës në mbrojtje të multilateralizmit dhe për të forcuar pozicionin strategjik të BE-së në një mjedis global gjithnjë e më konkurrues.
Protestë e fermerëve
Ka pasur rezistencë të fortë nga fermerët, por pavarësisht kësaj, qeveritë gjermane dhe spanjolle janë ndër ato që e mbështesin më shumë marrëveshjen. Fermerët kanë shprehur shqetësimin se marrëveshja kërcënon të minojë bizneset e tyre me importet më të lira. Megjithatë, Berlini dhe Madridi argumentojnë se marrëveshja do të jetë një shtysë shumë pozitive për industritë që po luftojnë me konkurrencën kineze dhe tarifat doganore në Shtetet e Bashkuara.
Të enjten, fermerët nxorrën traktorët në rrugë, duke bllokuar rrugët në Paris dhe në pjesë të Gjermanisë.
