Parlamenti Evropian miratoi një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Parlamenti Evropian ka miratuar një propozim të Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh, e cila do të shërbejë për financimin e shpenzimeve ushtarake dhe buxhetore.
Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan kredinë për Ukrainën për periudhën 2026-2027 me 458 vota pro, ndërsa 140 ligjvënës votuan kundër dhe 44 abstenuan.
Kredia për Ukrainën përfshin 60 miliardë euro për ndihmë ushtarake dhe 30 miliardë euro për mbështetje buxhetore, të cilat do të financohen përmes huamarrjes së Bashkimit Evropian.
Vota në Parlamentin Evropian fillimisht ishte parashikuar për një seancë të posaçme plenare të thirrur më 24 shkurt, për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, por u shty për më 11 shkurt.
Më 19 dhjetor, samiti i Bashkimit Evropian miratoi një vendim për një kredi të përbashkët për t’i siguruar Ukrainës 90 miliardë euro, të cilat mbulojnë dy të tretat e nevojave të Ukrainës në periudhën 2026-2027 si në sektorin buxhetor, ashtu edhe në atë të mbrojtjes.
Më 4 shkurt, ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ranë dakord mbi mekanizmat për dhënien e kredisë prej 90 miliardë eurosh Ukrainës në vitet 2026-2027, duke përfshirë edhe lejimin e vendeve të treta për të marrë pjesë.
