BE ndihmon Kubën me 2M € për krizën ekonomike dhe energjetike

BE ofron 2 milionë euro mbështetje për Kubën në përballje me krizën ekonomike dhe energjetike

Bashkimi Evropian do të ofrojë 2 milionë euro ndihmë humanitare për popullin e Kubës, i cili po vuan nga kriza energjetike.

“BE-ja qëndron pranë popullit të Kubës”, deklaroi më herët Komisionerja për Menaxhimin e Krizave, Haja Labib.

Kuba është përballur me një krizë të rëndë ekonomike prej vitesh, e cila është përkeqësuar në tre muajt e fundit për shkak të embargos së naftës të vendosur nga SHBA-të. Kuba humbi aleatin dhe furnizuesin e saj kryesor në janar, kur ushtria amerikane kapi presidentin venezuelian Nicolas Maduro. Karakasi kishte qenë furnizuesi kryesor i Kubës me karburant për 25 vjet.

Komisioni Evropian tha se financimi i BE-së do t’u jepet organizatave humanitare për shpërndarjen e ushqimit dhe ujit të pijshëm.

“Në një vend që përballet me një krizë energjetike dhe mungesa në rritje, financimi do të ndihmojë të vazhdohet ofrimi i ndihmës jetike për deri në dy milionë njerëz në nevojë”, tha Labib.

Scroll to Top