BE ndihmon Ukrainën në riparimin e tubacionit të naftës Druzhba

Von der Leyen: BE do të ndihmojë në rihapjen e tubacionit të naftës “Druzhba” në Ukrainë

Bashkimi Evropian do të ofrojë ndihmë për rihapjen e tubacionit të naftës “Druzhba” (“Miqësia”), i cili transporton naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë, por është dëmtuar në Ukrainë. Ky angazhim vjen si kusht i vendosur nga Budapesti për heqjen e vetos së saj kundrejt një kredie prej 90 miliardë eurosh nga BE për Kievin. Këtë e njoftoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“BE i ka ofruar Ukrainës mbështetje teknike dhe financim. Ukraina ka mirëpritur dhe pranuar këtë ofertë. Ekspertët evropianë janë menjëherë në dispozicion”, tha ajo në një deklaratë, të nënshkruar gjithashtu nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Deklarata u shoqërua nga një letër nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ku shprehej dakordësia e tij.

“Shpresojmë që ndihma e BE-së mund të hapë rrugën për zgjidhjen e bllokimit aktual dhe të sigurojë riparimin e shpejtë të tubacionit”, theksuan dy udhëheqësit evropianë në letrën e tyre drejtuar presidentit Zelensky.

Hungaria, e cila së bashku me Sllovakisë mori një përjashtim nga BE për të vazhduar blerjen e naftës ruse, kishte vënë veton ndaj kësaj kredie. Kjo kredi është thelbësore për Ukrainën për të vazhduar financimin e luftës, derisa të rifillojnë këto dërgesa nafte. Që nga 27 janari, kur tubacioni “Druzhba” u dëmtua nga sulmet ajrore ruse, janë zhvilluar kontakte të shumta midis Brukselit dhe Budapestit, por pa sukses.

Budapesti dhe Bratislava po bllokojnë gjithashtu, për arsye të lidhura me tubacionin “Druzhba”, miratimin formal të sanksioneve të reja ekonomike kundër Rusisë, të cilat janë miratuar nga vendet e tjera të BE-së.

Scroll to Top