BE paralajmëron për krizë energjie për shkak të luftës në Lindjen e Mesme
Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje vendeve anëtare të fillojnë sa më shpejt mbushjen e depozitave të gazit. Kjo kërkesë vjen si pasojë e pasigurisë që po krijon lufta në Lindjen e Mesme në tregjet e energjisë.
Komisioni Evropian thekson se aktualisht furnizimi me energji është i sigurt. Megjithatë, paralajmëron se situata mund të ndryshojë dhe përgatitjet duhet të fillojnë që tani për dimrin e ardhshëm.
Komisioneri për Energjinë, Dan Jorgensen, u shpreh se BE është më e përgatitur se në vitin 2022, por mbetet e ekspozuar ndaj tregjeve globale. Sipas tij, mbushja e hershme e depozitave ndihmon në uljen e presionit mbi çmimet dhe parandalimin e mungesave në momentet e fundit.
