Këshilli i BE-së përfshin në listën e sanksioneve prezantues të njohur rusë.
Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka miratuar sot masa kufizuese kundër gjashtë shtetasve të tjerë rusë, si përgjigje ndaj aktiviteteve hibride të vazhdueshme të Rusisë, veçanërisht ndaj manipulimit të informacionit të drejtuar kundër shteteve anëtare dhe partnerëve të Unionit.
Në listën e sanksioneve përfshihen prezantuesit televizivë Dmitry Guberniyev, Yekaterina Andreyeva dhe Maria Sittel, si dhe propagandisti Pavel Zarubin. Ata punojnë në kanalet televizive të propagandës ruse, duke organizuar programe dhe shfaqje si “Linjë e Drejtpërdrejtë me Vladimir Putin”, ku përhapin dezinformata rreth luftës në Ukrainë dhe lavdërojnë sistemin e qeverisjes të udhëheqësit rus Putin.
Kufizimet shtrihen edhe mbi aktorin Roman Chumakov dhe balerinin rus me origjinë ukrainase Sergey Polunin.
Është vënë re se personat e sanksionuar po kontribuojnë në mënyrë aktive në përshkallëzimin e luftës Rusi-Ukrainë, sidomos përmes mbledhjes së fondeve për forcat e armatosura ruse.
Gjithsej, 65 individë dhe 17 persona juridikë janë përfshirë në listat e sanksioneve për shkak të aktiviteteve destabilizuese. Këto masa përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin për qytetarët dhe kompanitë e BE-së për t’u siguruar atyre fonde, asete financiare ose burime ekonomike.
Gjithashtu, individëve u ndalohet hyrja ose kalimi tranzit nëpër territorin e BE-së.
