Banka Qendrore e Rusisë: Planet e BE-së për përdorimin e aseteve tona, të jashtëligjshme!
Banka Qendrore e Rusisë deklaroi të premten se planet e Bashkimit Evropian për të përdorur asetet e saj janë “të jashtëligjshme” dhe se ajo ka të drejtë të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për mbrojtjen e interesave të saj.
Në një komunikatë, Banka Qendrore sqaroi se po padit institucionin financiar me qendër në Bruksel, Euroclear – i cili mban një pjesë të konsiderueshme të aseteve ruse – në një gjykatë në Moskë, për shkak të asaj që ajo e përshkroi si “veprime dëmtuese”.
“Mekanizmat për përdorimin e drejtpërdrejtë apo tërthorazi të aseteve të Bankës së Rusisë, si dhe çdo formë tjetër e përdorimit të paautorizuar të tyre, janë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, përfshirë shkeljen e parimeve të imunitetit sovran të aseteve,” tha banka.
Ajo iu referua një njoftimi për shtyp të Komisionit Evropian, të publikuar më 3 dhjetor, i cili parashtronte dy zgjidhje për t’i mbështetur nevojat financiare të Ukrainës në vitet 2026 dhe 2027. Sipas njërës prej këtyre zgjidhjeve, Komisioni do të ishte në gjendje të merrte hua bilancet e parave të gatshme nga institucionet financiare të BE-së që mbajnë asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Rusisë, për t’i dhënë një hua dëmshpërblimi Ukrainës.
Zyrtarët rusë kanë theksuar vazhdimisht se një veprim i tillë do të merrte “përgjigjen më të ashpër”.
Qeveritë e Bashkimit Evropian synojnë të arrijnë një marrëveshje të premten për të ngrirë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, të cilat janë të bllokuara në Evropë, për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke e zëvendësuar kështu nevojën për votim çdo gjashtë muaj për ngrirjen e tyre, thanë diplomatët e BE-së.
Banka Qendrore e Rusisë deklaroi se zbatimi i këtyre planeve do të sfidohet në “gjykatat kombëtare, autoritetet gjyqësore të shteteve të huaja dhe organizatat ndërkombëtare, tribunale arbitrazhi dhe instanca të tjera gjyqësore ndërkombëtare, e ndjekur nga zbatimi i vendimeve gjyqësore në territoret e shteteve anëtare të OKB-së”.
