BE-SHBA: Partneritet Strategjik për Mineralet Kritike

Çfarë është Memorandumi Strategjik i Mineraleve që SHBA dhe BE pritet të nënshkruajnë

Bashkimi Europian është gati të nënshkruajë me Shtetet e Bashkuara një memorandum mirëkuptimi për hartimin e një “Rruge të Partneritetit Strategjik” brenda tre muajve, me fokus bashkëpunimin për mineralet kritike, raporton Bloomberg.

Sipas burimeve të cituara nga agjencia, BE synon t’i propozojë Uashingtonit një partneritet strategjik për sigurimin e mineraleve thelbësore për teknologjitë moderne, me qëllim uljen e varësisë nga Kina.

Nisma europiane vjen në një moment kur administrata amerikane pritet të shpallë brenda javës iniciativa të reja për marrëveshje ndërkombëtare në këtë fushë.

Plani parashikon që BE dhe SHBA të punojnë së bashku për të gjetur mënyra alternative furnizimi me minerale kritike, të domosdoshme për sektorë si energjia e gjelbër, teknologjia e lartë dhe industria e mbrojtjes. Aktualisht, të dyja palët varen në masë të madhe nga mineralet kineze me kosto të ulët, çka i jep Pekinit avantazh të konsiderueshëm në zinxhirët globalë të furnizimit.

Propozimi përfshin opsione për projekte të përbashkëta nxjerrjeje dhe përpunimi, si dhe mekanizma për mbështetjen e çmimeve. Po ashtu, sugjerohen masa për të mbrojtur tregjet e BE-së dhe SHBA-së nga mbifurnizimi me minerale nga vende të treta dhe nga forma të tjera të manipulimit të tregut. Theksi vihet edhe te krijimi i zinxhirëve të sigurt dhe të qëndrueshëm të furnizimit mes dy palëve.

Një element i veçantë i propozimit europian është këmbëngulja në respektimin e ndërsjellë të integritetit territorial. Marrëdhëniet SHBA–BE janë tensionuar javët e fundit, pas deklaratave të presidentit Donald Trump se po shqyrton mundësinë e blerjes së Grenlandës, territor i Danimarkës, vend anëtar i BE-së.

Nisma e BE-së përkon me përgatitjet e SHBA-ve për të thirrur ministra të Jashtëm dhe zyrtarë të lartë të vendeve aleate, në përpjekje për të arritur marrëveshje të ngjashme që synojnë reduktimin e varësisë nga mineralet kritike kineze.

Komisioni Europian e ka cilësuar këtë proces si “jetik për diversifikimin e furnizimeve larg çdo vendi të vetëm”, pa dhënë detaje shtesë mbi përmbajtjen e bisedimeve.

Çështja është kthyer në prioritet kryesor për Uashingtonin që nga momenti kur Pekini vendosi vitin e kaluar kufizime për eksportin e të ashtuquajturave tokëra të rralla. Edhe pse këto masa u pezulluan në tetor, pas një marrëveshjeje mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, autoritetet amerikane shprehen të vendosura për të përshpejtuar ndërtimin e alternativave.

Në këtë kuadër, SHBA-të po shtyjnë për një mekanizëm çmimesh që do të mbronte kompanitë perëndimore që nxjerrin dhe përpunojnë tokëra të rralla nga konkurrenca e eksporteve të lira kineze, të cilat mund të dëmtojnë prodhimin dhe përpunimin e mineraleve në Perëndim.

Scroll to Top