Bashkimi Europian përgatitet për një tarifë të re që synon të frenojë mallrat kineze.
Evropa po kufizon gradualisht hyrjen e pakove të lira kineze. Komisioni Evropian ka propozuar miratimin e një tarife të re doganore, të quajtur zyrtarisht “tarifë trajtimi”, për çdo pako të vogël të porositur nga platforma të mëdha të tregtisë online si Shein, Temu dhe Alibaba. Kjo masë, e cila fillimisht ishte planifikuar për vitin 2028, tani pritet të hyjë në fuqi dy vite më herët. Qëllimi kryesor është të ndalohet përmbytja e tregut evropian nga mallra me çmime të ulëta të prodhuara në Kinë.
Ky vendim u nxit nga publikimi i një letre nga komisioneri i tregtisë, Maroš Šefčovič, drejtuar ministrave të financave të BE-së, ku theksohej nevoja për një ndërhyrje të shpejtë. Sot, ministrat e financave të 27 vendeve anëtare të BE-së ranë dakord të “përshpejtojnë sa më shumë të jetë e mundur gjatë vitit 2026” zbatimin e kësaj tarife doganore për pakot me vlerë të ulët.
Pragu prej 150 eurove hiqet. Vjen tarifa e re.
Sipas marrëveshjes së arritur, hiqet përfundimisht përjashtimi nga dogana për blerjet me vlerë nën 150 euro. Kjo hap rrugën për aplikimin e një tarife të re, të thjeshtuar dhe të përkohshme. Në praktikë, çdo pako që hyn në hapësirën evropiane do të taksohet, duke shënuar një ndryshim historik në lëvizjen e pakove nga tregtia dixhitale.
Problemi që po përpiqet të zgjidhë BE-ja është i madh. Vetëm në vitin 2024, sipas Komisionit, në Union janë importuar 4.6 miliardë pako të vogla, rreth 12 milionë pako në ditë. Rreth 91% e tyre vijnë nga Kina, përfituar nga çmimet e ulëta, deklarimet e thjeshtuara doganore dhe mungesa e taksave. Situata është përkeqësuar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës hoqën pragun e tyre “de minimis” për pakot nën 800 dollarë, duke shtuar presionin mbi tregun evropian.
Plani: 2 euro për pako – 0.5 euro për depot
Fillimisht, Komisioni Evropian kishte propozuar një tarifë uniforme prej 2 eurosh për çdo pako, të cilën do të paguanin drejtpërdrejt platformat online. Në prill, Šefčovič deklaroi para Parlamentit Evropian: “Po flasim për 2 euro për pako, të pagueshme nga platforma.” Artikujt që transportohen drejtpërdrejt në depot evropiane do të tatohen me 0.5 euro për njësi.
Një pjesë e të ardhurave do të përdoret për të mbuluar kostot gjithnjë e më të larta të kontrolleve doganore, ndërsa pjesa tjetër do të derdhet në buxhetin e BE-së. Në mbrojtje të planit të tij, Šefčovič ka sqaruar: “Nuk do ta quaja taksë. Është thjesht… kompensim për koston dhe duhet të paguhet nga çdo platformë.”
Për konsumatorët evropianë, ky ndryshim do të thotë fundi i porosive “pa doganë” nga platformat aziatike. Për vetë BE-në, masa tregon një realitet të ri ekonomik: Kina nuk është më vetëm një partner tregtar, por një sfidë e drejtpërdrejtë për industrinë dhe prodhimin evropian. Ndryshimi i rregullave pritet të jetë vetëm hapi i parë drejt një ristrukturimi të madh të tregtisë dixhitale globale.
