Evropianët reagojnë pas propozimit të SHBA-së për Ukrainën: Nuk do të dorëzohemi përpara agresionit rus
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, deklaroi sot se Evropa dhe Ukraina dëshirojnë paqe, por nuk do të dorëzohen kurrë përballë agresionit rus.
“Ky është një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për të gjithë ne,” theksoi Kallas, duke iu drejtuar gazetarëve. Ajo shtoi se në çdo marrëveshje paqeje, Ukrainës i takon të vendosë për kushtet e saj.
“Të gjithë duam që kjo luftë të marrë fund, por ka rëndësi të madhe se si do të marrë fund. Rusia nuk ka asnjë të drejtë ligjore për të kërkuar lëshime nga një vend që ka pushtuar. Në fund të fundit, kushtet e çdo marrëveshjeje i takojnë vetëm Ukrainës të vendosë,” shtoi ajo.
Kallas vlerësoi gjithashtu se Moska po përpiqet të shmangë sanksione të reja amerikane duke treguar gatishmëri për bisedime mbi planin e paqes që po përgatitet nga SHBA-të.
Më herët, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaruan në një qëndrim të përbashkët se Bashkimi Evropian ende nuk e ka marrë zyrtarisht planin amerikan të paqes për Ukrainën. Çështja do të diskutohet gjatë samitit të G20 këtë fundjavë në Johanesburg.
“Asnjë dokument zyrtar nuk na është paraqitur deri tani,” tha Costa gjatë një konference për shtyp në Johanesburg. “Prandaj, në këtë fazë nuk ka kuptim të komentojmë,” shtoi ai.
Von der Leyen nga ana e saj konfirmoi se do të flasë drejtpërdrejt me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Është publikuar një dokument me 28 pika. Do të diskutojmë situatën si me liderët evropianë, ashtu edhe me liderët e tjerë në margjinat e G20. Do të flas gjithashtu drejtpërdrejt me presidentin Zelensky.”
Ajo ripohoi mbështetjen e palëkundur të BE-së ndaj Ukrainës.
“Ukraina mund të mbështetet plotësisht te ne, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një sulm ndaj saj, por për një sulm ndaj parimeve themelore të Kartës së OKB-së,” shtoi ajo.
Duke iu referuar sanksioneve, Von der Leyen theksoi se ato të rejat janë më të rënda.
“Kemi miratuar 19 paketa sanksionesh dhe janë sanksione të rënda. Këtë e shohim te vështirësitë në rritje të ekonomisë ruse: inflacioni që rritet, normat e interesit që rriten, mbinxehja e ekonomisë së luftës. Ngadalë por me siguri, sanksionet po funksionojnë,” theksoi Von der Leyen.
