“Metamorfoza”: Behar Bajri dënohet me mbi 8 vite burg
Pas më shumë se katër orësh në dhomë këshillimi, një trupë gjykuese pranë Gjykatës së Posaçme shpalli vendimin për të pandehurit e parë në dosjen “Metamorfoza”, e cila është dosja e parë e SPAK-ut bazuar në komunikimet e aplikacionit të enkriptuar SKY ECC.
Behar Brajovic (Bajri) u shpall fajtor dhe u dënua përfundimisht me 8 vite e tetë muaj burgim, pasi përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar. Edmond Preka u dënua me 7 vite burgim, ndërsa Astmer Bilali mori 5 vite e 8 muaj burgim.
Ata u gjetën fajtorë për veprën penale të krijimit të një grupi kriminal dhe sigurimit të kushteve për kryerjen e vrasjeve të shtetasve Kleant Musabelli, Dorian Duli, Genc Tafili, si dhe të armikut të përbetuar të grupit Bajri, Ibrahim Lici.
Ish-shefi i Forcës së Posaçme Operacionale u dënua me 2 vite burgim për akuzën e zbulimit të akteve sekrete, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Masa e sigurisë për të u shua, pasi e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.
Xhevahir Lita, ish-drejtues i prokurorisë së Kukësit, u dënua me 3 vite e katër muaj burg për veprën penale “zbulim i akteve sekrete”. Edhe Lita rifitoi lirinë.
Gjykata vendosi që për Ardit Hasanbegajn dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka, vendimi të shpallet më 2 dhjetor, pasi avokatët e tyre nuk kanë paraqitur ende argumentet e mbrojtjes.
Kjo është hera e parë që hapet një praktikë e tillë, ku të pandehurit gjykohen në një proces, ndërsa vendimi shpallet veçmas. Disa nga të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”, si Pëllumb Gjoka, po gjykohen në një tjetër proces me procedurë të zakonshme për vrasjen e Gjin Boricit në vitin 2020 në Vaun e Dejës dhe krime të tjera të rënda.
