Behgjet Pacolli jep dorëheqjen nga AKR, partia që themeloi 19 vjet më parë
Behgjet Pacolli ka dhënë dorëheqjen nga Aleanca Kosova e Re (AKR), parti të cilën ai e themeloi 19 vjet më parë. Pacolli, i cili ka qëndruar në krye të AKR-së për plot 19 vite, nuk arriti të plotësojë dy dekada drejtuese në partinë që themeloi në vitin 2006.
Dorëheqja e presidentit të AKR-së nga posti i kreut të këtij subjekti politik është dorëzuar rreth dy muaj më parë. Detaje rreth largimit të tij ka dhënë për Tëvë1, ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Vesel Makolli.
“Dorëheqja është bërë para dy muajsh, ndërsa është bërë publike para një muaji në faqen zyrtare. Dorëheqja ka qenë për arsye se ai fizikisht nuk ka pasur mundësi të merret edhe me partinë, për shkak të obligimeve të mëdha që i ka. Në kuvendin e fundit që kemi mbajtur në vitin 2022, ai ka kërkuar të tërhiqet, por ne i kemi bërë ‘presion’ në aspektin pozitiv. Gjatë këtyre dy viteve të fundit, ai (Pacolli) ka mundur të marrë pjesë vetëm dy herë në mbledhje, për arsye se nuk ka qenë fizikisht në Kosovë”, ka thënë Makolli.
Përveç kësaj, Makolli thotë se Pacolli ka pasur edhe disa probleme shëndetësore.
“Obligimet e shumta që i ka, obligimet familjare, pastaj edhe me shëndet nuk ka qenë mirë, dhe krejt kjo është ajo që ai definitivisht ka dhënë dorëheqje”, është shprehur tutje Makolli.
Ushtruesi i detyrës theksoi se në bazë të legjislacionit në fuqi për partitë politike, së shpejti do të mbahen edhe zgjedhjet e brendshme.
“Në bazë të legjislacionit në fuqi për parti politike dhe në bazë të statutit tonë, duhet t’i bëjmë zgjedhjet brenda partisë brenda pesë ose gjashtë muajsh, jemi të obliguar. Dhe për këtë duhet të bëhen zgjedhjet, e kemi në program zgjedhjet brenda partisë”, ka theksuar Makolli.
Tëvë1 ka kontaktuar edhe ish-kryetarin Behgjet Pacollin për të marrë një qëndrim të tij, por gjatë ditës nuk ka qenë i qasshëm.
