Beleri në Gjykatën Kushtetuese: Ankimim vendimi

Beleri dorëzon çështjen në Gjykatën Kushtetuese, caktohet relatori

Eurodeputeti Fredi Beleri ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit për dënimin me 2 vite burg, si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë që la në fuqi dënimin e dhënë nga Gjykata e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Akuzat kundër tij janë “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Relator i seancës do të jetë gjyqtari Asim Vokshi.

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Fredi Beleri, u arrestua më 12 maj, dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale. Ai u dënua më 5 mars 2024 nga GJKKO me 2 vite burg, vendim i konfirmuar edhe në Apelin e Posaçëm.

Si bashkëpunëtor i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, por masa u pezullua dhe u zëvendësua me shërbim prove për tre vjet.

Beleri e ankimoi vendimin e GJKKO-së në Gjykatën e Lartë, e cila la në fuqi dënimin me burg. Pas qëndrimit prej afro 16 muajsh në qeli, Fredi Beleri u lirua me kusht, duke u argumentuar se ka kryer dy të tretat e dënimit.

Ndërkohë që vuante dënimin në Shqipëri, Fredi Beleri mori mbështetje nga Athina zyrtare. Në qershor të këtij viti, ai u zgjodh eurodeputet nën siglën e partisë “Demokracia e Re”, e kryeministrit grek Mitsotakis. Në korrik, Beleri u betua në Strasburg, duke marrë lejen e nevojshme nga autoritetet shqiptare.

Scroll to Top