“`html
Balluku e pandehur/ Klodiana Lala: SPAK hetoi udhëtimet dhe bisedat telefonike
Dita e sotme ka qenë intensive përsa i përket përballjes së politikës me drejtësinë. Ndërkohë që në Gjykatën Kushtetuese shqyrtohet kërkesa e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për mos shkarkimin e tij nga detyra, në Prokurorinë e Posaçme u paraqit zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Ajo është zyrtarisht e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje mbi zhvillimet e ditës.
“Deri në momentin që do të paraqitej në SPAK, ajo konsiderohej person nën hetim, por pasi mori dijeni për akuzën, konsiderohet zyrtarisht e pandehur. Kjo u vërtetua zyrtarisht edhe nga SPAK, duke bërë me dije se gjithçka lidhet me Tunelin e Llogarasë. Fillimisht, firma fituese ishte ‘Gjoka konstruksion’, tender që u anulua pak më vonë. Pesë muaj më vonë, tenderi u fitua nga një kompani turke, me një vlerë 50 milionë euro më shumë se oferta fillestare e ‘Gjoka Konstruksion’. Ajo që ishte interesante, në fund, ndërtimet në realitet u bënë nga ‘Gjoka’, pavarësisht se tenderin e mori kompania turke.”
“Burime bëjnë me dije se janë të kryqëzuara udhëtimet, bisedat telefonike dhe praktika e tenderave, duke krijuar një panoramë ku hetuesit besojnë se kanë arritur një provueshmëri të lartë lidhur me veprën penale,” – tha Lala.
Sipas gazetares, mbetet në dorën e SPAK të vlerësojë nëse ekziston mundësia për caktimin e një mase sigurie, nëse ka të dhëna për manipulim apo ndikim në prova. Ajo shtoi gjithashtu se “gra të cilat janë hetuar zakonisht kanë shkuar në masa të lehta sigurie.”
“`
