Gjykata e Lartë shqyrton sot rekursin e Belinda Ballukut për bllokimin e pasaportës
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë sot, në orën 15:00, rekursin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku lidhur me masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” të caktuar ndaj saj.
Gjyqtari Ilir Panda do të vendosë nëse Ballukut do t’i rikthehet pasaporta, e cila i është bllokuar që prej datës 19 nëntor, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku iu komunikua edhe akuza për shkelje të barazisë në tendera.
Balluku është person nën hetim edhe për 7 lote të projektit “Unaza e Madhe” dhe dyshohet për përfshirje në 3 tendera të tjerë.
Në Gjykatën e Lartë do të shqyrtohet gjithashtu edhe ankimi i ish-kreut të KESH, Erald Elezi. Ai aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera lidhur me Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Ndërkohë, ish-kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili ndodhet gjithashtu në arrest shtëpie dhe akuzohet vetëm për shkeljet e lidhura me tenderin e Llogarasë, nuk e ka ankimuar masën e sigurisë.
