Mediat greke i kanë kushtuar vëmendje vendimit të Gjykatës së Posaçme në Shqipëri, e cila pezulloi nga detyra zv/kryeministren Belinda Balluku.
Sipas medias greke, prokurorët e akuzuan atë për rolin e saj të dyshuar në përzgjedhjen e një kompanie për një projekt tuneli të financuar nga qeveria.
“Balluku, e cila ka shërbyer gjithashtu si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, është një aleate e ngushtë e kryeministrit Edi Rama, i cili siguroi mandatin e tij të katërt radhazi në pushtet në fillim të këtij viti,” thuhet në shkrim.
“Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por BE ka kërkuar që vendi të ndërmarrë veprime më të forta kundër korrupsionit,” citon mediumi grek “Kathimerini”.
Akuzat ndaj Ballukut kanë të bëjnë me ndërtimin e një tuneli 5.9 kilometra të gjatë në pjesën jugore të Shqipërisë, me një kosto prej afërsisht 190 milionë eurosh.
“Aktakuza e siguruar nga mediumi thekson se Balluku, në cilësinë e saj si Ministre e Infrastrukturës, ndikoi në mënyrë të papërshtatshme në vendimin në favor të kompanisë që fitoi tenderin. Në aktakuzë thuhet gjithashtu se Balluku veproi në këtë mënyrë në bashkëpunim me 5 anëtarë të tjerë të komisionit që dha vendimin,” thuhet në shkrim.
