Belinda Balluku pezullohet nga detyra dhe ndalohet dalja jashtë vendit

Gjykata shkarkon nga detyra Belinda Ballukun

Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa sigurie për Belinda Ballukun: pezullim nga ushtrimi i detyrës dhe funksionit si zv. Kryeministre dhe ministre, si dhe ndalim të daljes jashtë vendit.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Erion Çela, me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi, për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Balluku u mor e pandehur rreth dy javë më parë, por kryeministri Rama nuk e shkarkoi nga detyra. Një ditë më parë, në parlament, ish-zv.kryeministrja deklaroi se nuk do të fliste kurrë kundër drejtësisë së re.

Akuzat e SPAK për Ballukun

Hetimi për Ballukun lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.

Hetimi ka nisur pas një kontrolli në banesën e ish-Drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në shkurt 2024. Gjatë kontrollit u sekuestruan telefona, pajisje kompjuterike dhe dokumente. Ekspertimi i këtyre pajisjeve ka mundësuar rikuperimin e komunikimeve të Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko. Këto komunikime kanë çuar në krijimin e një dosjeje që përfshin edhe kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe përfshirjen e Ballukut në hetime.

Balluku dyshohet se ka pasur komunikime me vartësin e saj Ervis Berberi gjatë kohës kur ai drejtonte ARRSH-në. Roli i saj në paracaktimin e fituesve të tenderave publikë mbetet objekt hetimi.

Tenderi i tunelit të Llogarasë, i hapur nga ministria e Infrastrukturës në 1 dhjetor 2021, u fitua në mars 2022 nga bashkimi i kompanive “Hill International N.V” dhe “Net-Group”. Kjo ndodhi pasi kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult & CO” u skualifikuan për shkelje të kushteve të tenderit.

SPAK dyshon se ky skualifikim mund të ketë qenë i qëllimshëm për favorizimin e fituesve, për shkak të lidhjeve mes Berberit, biznesmenit Valter Begaj dhe ish-ministres Belinda Balluku.

Hetimet kanë përfshirë gjithashtu tërheqjen e dokumenteve nga ARRSH për praktikën e prokurimit që lidhet me mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, si dhe verifikimin e aksioneve të kompanisë “Net-Group”, të cilat më 4 dhjetor 2024 iu dhuruan bashkëshortes së Valter Begajt, Loreta Vallja.

Njoftimi zyrtar i SPAK (31 tetor 2025)

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, më 31.10.2025, ish-ministres Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, i është njoftuar akuza për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, lidhen me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për një nga procedurat e prokurimit objekt i këtij hetimi: “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Kjo procedurë u zhvillua më datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, u rihap në datën 22.6.2021, me fond limit 18,967,810,952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero tetë) lekë pa TVSH.

Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues, ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, njoftoi më 23.10.2025 organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj më 31 tetor, në orën 15:00.

Scroll to Top