Balluku reagon për herë të parë në rrjetet sociale pas kërkesës së SPAK për arrestim
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është rikthyer në rrjetet sociale. Pas një periudhe heshtjeje, që nga paraqitja e saj në Kuvend, ku mbajti një fjalë pas thirrjes në SPAK dhe komunikimit të akuzës për “shkelje të barazisë në tendera”, numri dy i qeverisë nuk ishte shprehur publikisht. Ajo nuk foli as pas daljes nga SPAK, ku u paraqit për masën e sigurisë, dhe as pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj.
Këtë ditë Krishtlindjesh, ajo publikoi disa foto në rrjetet sociale, ku tregon se festën e ka kaluar pranë familjeve lushnjare. “Gëzimi i festave është akoma më i madh kur ndahet me njerëzit që duam. Zërat e gëzuar të fëmijëve, aroma e ëmbël e gatimeve dhe bisedat e zhurmshme të miqve, krijojnë një atmosferë magjike. E kalova ditën sot mes ngrohtësisë së familjeve lushnjare, miq të mirë, me zemër të bardhë e mikpritës të rrallë. Gëzuar këtë ditë të bekuar! Paqja, shëndeti e lumturia të ulen këmbëkryq në vatrat tuaja!”, shkruan Balluku.
