Imuniteti në Rend të Ditës: Belinda Balluku do të flasë në Kuvend
Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë të enjten seancën plenare të radhës, ku një nga pikat kryesore në rendin e ditës është shqyrtimi i projektvendimit për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku.
Sipas axhendës, pika e tretë e seancës parashikon shqyrtimin e projektvendimit “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
Procedura mbështetet në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit. Miratimi i projektvendimit kërkon shumicën e thjeshtë të votave.
Gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje në seancë plenare, do të zhvillohen këto veprime:
- Fjala e deputetes Belinda Balluku.
- Paraqitja e raportit nga pakica parlamentare, e përfaqësuar nga anëtarët e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
- Paraqitja e raportit nga shumica parlamentare, po nga anëtarët e këtij këshilli.
- Më pas do të zhvillohet votimi në seancë.
Seanca e së enjtes pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pasi çështja e imunitetit të deputetes Balluku është ndër temat më të debatueshme në skenën politike të ditëve të fundit. Edhe pse formalisht është parashikuar fjalë nga vetë Balluku, nuk dihet ende me siguri nëse ajo do të preferojë të flasë para deputetëve.
Kujtojmë që opozita ka njoftuar protestë jashtë Parlamentit në ditën e seancës.
