SPAK i ka kërkuar Belinda Ballukut të paraqitet sot për t’u njohur me akuzat.
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, është thirrur për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ditën e sotme.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja Klodiana Lala, nëpërmjet fletëthirrjes së dorëzuar në adresë të numrit dy të qeverisë, Balluku duhet të paraqitet në SPAK në orën 15:00. Pritet që aty t’i komunikohen zyrtarisht akuzat e ngritura ndaj saj.
SPAK po heton zv/kryeministren për shkelje të barazisë në tenderat, konkretisht në tenderat e Llogarasë. Më herët, për të njëjtin rast, janë arrestuar vartës të saj, si ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili po hetohet dhe gjykohet për disa akuza, si dhe ish-zyrtarë të tjerë.
Kjo është fletëthirrja e dytë drejtuar Ballukut. Herën e parë ajo nuk u paraqit në SPAK për shkak se ndodhej jashtë vendit në një vizitë zyrtare.
Sipas ligjit, nëse refuzohet edhe fletëthirrja e dytë për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, kjo e fundit mund të kërkojë shoqërimin e subjektit nën hetim përmes policisë.
