Hën. Dhj 10th, 2018

Berat, kthim në identitet i monumenteve të kulturës

TIRANË, 12 tetor.- Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të gjithë vendin, po punojnë çdo ditë në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe restaurimit të banesave në qytetin e Beratit, ku ditët e fundit në bashkëpunim me CHWB Albania ka përfunduar edhe restaurimi i shtëpisë së Zylyf Melit, e ndodhur në lagjen “Kala”.

Pas një pune të kujdesshme, me përkushtim dhe me pasion u bë e mundur që ky monument t’i ekspozohet sërish vizitorëve.

Me përfundimin e restaurimit të këtij monumenti, kjo rrugicë e Kalasë ka një tjetër monument të restauruar.

Banesat beratase janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik, karakteristikë e Beratit.

Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës.

/k.s/r.e

Kategori