Berisha: Pesë zonja në krye të degëve të PD, ky është një dimension emancipues
Kryedemokrati Sali Berisha ka theksuar edhe një herë rëndësinë e procesit të primareve në zgjedhjet brenda partisë. Gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha komentoi zgjedhjet që po zhvillohen për drejtimin e degëve të partisë në rrethe. Sipas tij, ky është një dimension vërtet emancipues që tejkalon mentalitetin e prapambetur dhe të pabazë.
“Për t’u përshëndetur si hap pozitiv është zgjedhja në Lezhë, Vlorë, Sarandë dhe Himarë, ku me votën e lirë të demokratëve janë zgjedhur katër zonja të nderuara. Edhe në Dimal, pesë. U tejkalua një mentalitet i prapambetur, paternalist, absolutisht i pabazë. Dhe unë them që edhe ky dimension kësaj here është një dimension vërtet emancipues dhe i përgëzoj ato zonja për guximin, përkushtimin dhe suksesin e tyre.”
“Kështu që, të vazhdojmë në këtë drejtim, të finalizojmë zgjedhjet në degë sipas përcaktimeve të lexuara këtu, ta mbyllim këtë proces, ta finalizojmë me Kuvendin në fillim të qershorit dhe krahas kryengritjes paqësore, t’i rikthehemi përgatitjeve për zgjedhjet vendore, për të cilat duhet të angazhohemi me gjithë forcën,” tha Berisha.
