Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ish-deputetin e PD-së, Dashnor Sula, për tradhti të lartë, pasi ky i fundit u emërua Kryeinspektor i Përgjithshëm nga qeveria.
Berisha e cilësoi Sulën si një “mollë të kalbur” dhe theksoi se ai ka kapur flamurin e Edi Ramës, duke kryer një akt tradhtie. Sipas Kryedemokratit, Dashnor Sula ka tradhtuar ata burra dhe gra që për 12 vjet e kanë mbështetur atë, pavarësisht gabimeve që mund të ketë bërë.
“Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë,” deklaroi Berisha, duke shtuar se mbështetësit kanë qenë si dritë dhe shpresë për të.
Ai shtoi se kapi flamurin e Edi Ramës në kohën më të zezë të tij dhe kjo është kryerja e aktit më të lartë të tradhtisë. Berisha u shpreh se PD do të ndahet nga këta njerëz dhe se një nga drejtimet themelore të Edi Ramës ka qenë korruptimi i eksponentëve të opozitës.
Berisha i konsideroi veprime kriminale përpjekjet e qeverisë për të blerë dhe korruptuar përfaqësues të opozitës, vetëm në funksion të pushtetit të saj.
“E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai,” tha Berisha, duke pyetur se çfarë e shtyu doktorin, anëtar i PD-së, të dalë në krah të “Salianjit të krimit, të bandave” dhe të përcjellë mesazhet e Subashit.
Ai theksoi se PD nuk humbet nga largimi i këtyre personave, përkundrazi do të ndahet prej tyre, pasi nuk dëshiron më shërbëtorë të Edi Ramës. Berisha tha se këta njerëz “gëlltisin tradhëtinë, jo ndaj meje, nuk ka lidhje me mua fare, ndaj teje si qytetar në radhë të parë që i ke besuar dhe i ke ndjekur.”
“Dhe del tani në ditën më të zezë, kur po i dridhen këmbët, shkon dhe i bëhesh patericë. Kjo është histori turpi,” përfundoi Sali Berisha.
