Berisha: Malaj do të mbetet në histori si hajduti më i madh i 5 shekujve të fundit
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se ngjarjet e 21 janarit ishin një grusht shteti i organizuar për rrëmbim pushteti. Berisha iu përgjigj deputetit Agron Malaj, ish-gardist, duke i thënë se ai do të mbetet në historinë e Matit si hajduti më i madh i 5 shekujve të fundit.
“Të dashura nëna, motra, vajza, zonja që po na ndiqni. Me përulje dhe njerëzillëk, pavarësisht bindjeve tuaja politike, ju shtroj sot një pyetje: A ka diçka më të turpshme për një grua, një zyrtare, sesa vjedhja e parave të qytetarëve? A kanë të drejtë këto avokate? A ju përfaqësojnë ato që mbrojnë vjedhjet e Lubi Ballukut dhe Edi Ramës? Kaq. Ndërsa sa i përket zotërisë që foli këtu. Agron, ti fole, dhe unë kam shprehur mendimet e mia për 21 janarin dhe mund t’i shpreh përsëri. Ai ishte një grusht shteti i organizuar për rrëmbim pushteti dhe kam thënë, dhe e them përsëri, se garda ka zbatuar ligjin. Po ti, Agron, do të mbetesh në historinë e Matit si hajduti më i madh i 5 shekujve të fundit në atë rreth. A e pe unazën, Agron? Shko dhe shihe unazën që bëre, monumentin e fundit që i le rrethit tënd të shkatërruar. Shko shihi rrugët si janë në Mat, që i ndërtove ti duke vjedhur paratë. Shko dhe shih vilat, hotelet etj. Shko shihe bashkëpunimin që ke pasur me Erion Veliajn. Agron, është gabim të akuzohesh për diçka tjetër veçse për të qenë hajduti më i madh në historinë e Matit që nga koha e Skënderbeut gjer sot,” tha Berisha.
