Frika nga kritikat: Berisha pretendon se Peleshi nuk mori asnjë deputet të PD në Gjermani
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar një ngjarje që sipas tij ka ndodhur ditët e fundit, duke implikuar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë një vizite zyrtare në Gjermani.
Nga një takim i organizuar nga PD para Kryeministrisë në Tiranë, Berisha deklaroi se Peleshi kishte planifikuar një udhëtim për të takuar homologun e tij gjerman. Sipas procedurave parlamentare, në këto takime duhet të marrin pjesë edhe deputetë nga opozita dhe parti të tjera.
Sipas versioneit të Berishës, situata ndryshoi pasi ai u kishte kërkuar deputetëve demokratë që, gjatë këtij takimi, të prezantonin para autoriteteve gjermane mënyrën se si, sipas tij, drejtohet Parlamenti në Shqipëri.
“Vetëm fakti që unë u kërkova deputetëve tanë të paraqisnin të vërtetën për drejtimin e Parlamentit, bëri që ai të nisej në udhëtim pa asnjë deputet të Partisë Demokratike,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së e cilësoi këtë veprim si një përpjekje për të shmangur përballjen me kritikat e opozitës në një forum ndërkombëtar. Ai akuzoi drejtuesit e Kuvendit për mungesë transparence dhe përjashtim të opozitës nga përfaqësimi institucional.
