“`html
Berisha në Kamëz: Rruga Qukës-Qafë Plloçë u ndërtua me 9 milionë euro për kilometër
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e takimit me demokratët në Kamëz, akuzoi qeverinë për keqpërdorim masiv të fondeve publike. Ai mori si shembull rrugën Qukës–Qafë Plloçë, duke theksuar se loti i tretë, prej 9 kilometrash, ka kushtuar 87 milionë euro, ose rreth 9 milionë euro për kilometër, pa përfshirë ura apo tunele.
Berisha e krahasoi këtë projekt me Rrugën e Kombit, e cila, sipas tij, ka një gjerësi më të madhe, dhjetëra ura dhe tunele të gjata, me një kosto mesatare prej 9 milionë eurosh për kilometër.
Ai deklaroi se rruga Qukës-Qafë Plloçë po shembet në çdo segment, duke e cilësuar këtë si një “plaçkitje të pabesueshme të parave publike”.
Ish-kryeministri akuzoi gjithashtu lidhjet mes krimit, ndërtimit dhe zgjedhjeve, duke u shprehur se paratë e drogës dhe krimit shndërrohen në vota, ndërsa votat kthehen në ndërtime dhe leje të dyshimta. Ai përmendi “kartelin Troplin” në Durrës dhe tha se një pjesë e fondeve të buxhetit përdoret për të deformuar votën e qytetarëve.
Berisha theksoi se beteja politike ndodhet “në kilometrin e fundit”, duke shtuar:
- “Rruga Qukës Qafë Pllocë, loti i tretë 9 km, 87 mln euro, rreth 9 mln euro km. Pa asnjë urë, pa asnjë tunel.”
- “Në rrugën e Kombit ka një gjërësi 27 m, dhjetëra ura, tunelet më të gjata dhe mesatarja shkon 9 mln euro.”
- “Rruga që po shembet çdo segmenti 9 mln euro. Kanë vjedhur dhe plaçkitur në mënyrë të pabesueshme.”
- “Gjithë paratë e krimit dhe drogës shndërrohen në vota dhe vota shndërrohet në krim dhe drogë.”
- “Karteli Troplin, pasi me të gjitha mjetet dhunoi zgjedhjet në Durrës, çfarë ndodhi, 5 kulla, 12 ndërtime. 30 mijë km tokë ndërtime te Niko Dovana. Pra paratë në votë, vota në ndërtim me krimin.”
- “Çfarë ndodh me paratë e buxhetit? Një ushtri e tërë mobilizohet për të shkelmuar votën tuaj.”
- “E patë si lotet e Unazës shkojnë në qiell çmimi, se disa mln për lot merrnin mediat që mashtronin. Mashtrimi në votë dhe vota në mashtrim. Kjo është situata.”
- “Sot opozitarët janë të lodhur, janë edhe të rraskapitur. Kanë vuajtur, sakrifikuar. Megjithatë sot jemi absolutisht në kilometrin e fundit.”
“`
