Berisha: Pallati i krimit ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në protestën qytetare të zhvilluar mbrëmjen e sotme, inauguroi atë që ai e quajti “platforma parlamentaro-qytetare”. Kjo platformë u ngrit simbolikisht përballë godinës së Kryeministrisë, të cilën Berisha e cilësoi “pallati i krimit”.
Në adresim të tij drejtuar mbështetësve të opozitës, Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për transformimin e shtetit shqiptar në “narkoshtet”, për largimin masiv të qytetarëve dhe për përdorimin e pasurive publike dhe pushtetit për “plaçkitje dhe sundim”.
Ai deklaroi se kjo platformë synon të kthejë qytetarët në aktorë të drejtpërdrejtë të betejës politike. Sipas tij, opozita po përballet me “tonelata euro drogë” dhe një “ushtri patronazhistësh” që demaskojnë zgjedhjet.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës, të pranishëm sonte në këtë foltore parlamentare qytetare dhe kudo që jeni. Të dashur demokrate e demokratë, mbështetës të opozitës, parlamentarë të opozitës. Miqtë e mi.
Liria është si një lumë, të cilin me asnjë lloj përpjekje nuk mund ta ndalësh, nuk mund ta përthash. Po guxove ta bllokosh, ajo do të çajë një kanal. Pikërisht kjo është platforma parlamentaro-qytetare që ne inaugurojmë sot para pallatit të krimit.
Para pallatit të krimit shtetëror, ndaj shtetit shqiptar, zëvendësimit të tij me narkoshtetin. Para pallatit të krimit njerëzor ndaj shqiptarëve, që me qëndrimet e tij përzuri nga Shqipëria në vitet e qeverisjes së tij më shumë se çdo pushtues i egër në tërë historinë kombëtare.
Para pallatit që në një krim monstruoz ndaj shqiptarëve i zvogëloi ata dhe i ktheu 100 vite mbrapa. Para pallatit që ka brenda diktatorin, sulltanin dhe sulltaneshën, Edvinin dhe Lubinë, të cilët me vjedhjet, plaçkitjet e tyre kanë mbjellë skamje në këtë vend si në asnjë vend tjetër të kontinentit.
Përpjekjet e opozitës për zgjedhje dhe rotacion të pushtetit u përballën me tonelatat e eurove të drogës. U përballën me ushtrinë terroriste të patronazhistëve. Terroristë të votës. U përballën me të gjithë burimet financiare, njerëzore, logjistike, të gjithanshme të shtetit mafioz, të narkoshtetit vetëm e vetëm se rotacioni, largimi nga pushteti i tyre është frikë, tmerr nga krimet që kanë kryer.”
