“`html
Berisha denoncon: Irena Gjoka, këshilltare e Ergys Agasit, i ka shkuar në zyrë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat pas daljes nga SPAK, ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë, komentoi vendimin e KLGJ-së që nuk pranoi të shqyrtonte çështjen e Irena Gjokës.
Berisha, teksa i lexoi me emra anëtarët e KLGJ-së që votuan të mos pranojnë kërkesën për nisjen e procedurave për gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, i konsideroi ata më kriminelë se vetë Irena Gjoka.
“KLGJ, me votat e Yllka Rupës, Ridvan Hados, Markelian Koçës, Emona Muçit, Klodian Kurushit dhe kreut të saj Ilir Rusi, me 6 vota, vendosën mospranimin e nisjes së procedurave për verifikimin dhe shpalljen e papajtueshmërisë së mandatit me famozen Irena Gjoka. Këta janë më kriminelë se vetë Irena, këta janë turpi i zyrtarit. Janë skllevër të këtij regjimi dhe të Edi Ramës,” u shpreh Berisha.
Po ashtu, ai denoncoi se Irena Gjoka është e përfshirë në dosjen e Ergys Agasit, ku sipas tij ajo ka hyrë dhe ka dalë në zyrën e tij.
“Sa për dijeni, Irena me 5 mbiemra është një shoqe shpirti me Lindën e Surrelit, përveçse këshilltare e Ergys Agasit. Besoj i keni parë videot në dosjet e Ergys Agasit, sesi serbezja hyn dhe del në zyrën mafioze të Agasit,” deklaroi ndër të tjera Berisha.
Gjithashtu, Berisha tregoi për gazetarët çfarë pa kur u fut në zyrat e SPAK për të firmosur “detyrimin e paraqitjes”:
“Aty ishte Altin Troplini, i cili ishte ulur me tre personazhe, me Elvis Docin, Altin Hajrin dhe Irenën me 5 mbiemra. Si avokat i tyre po u bënte shpjegim për çështje. Ndodhej ish-xhelati Arben Kraja që po numëronte para me Oltion Bistrin. Aty ishin të dy. Këto pashë unë sot.”
“`
