Berisha: Dumani mori 5 milionë euro për dosjen Farruku

Berisha lexon SMS: Dumani mori 5 milionë euro për dosjen e Kreshnik Farrukut

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi në Kuvend kreun e SPAK, Altin Dumani, se ka bërë marrëveshje me vlerë 5 milionë euro për dosjen e shtetasit Kreshnik Farruku nga Manza. Gjatë fjalimit të tij, Berisha lexoi një mesazh që kishte marrë lidhur me këtë rast.

Sipas Berishës, shuma do të konvertohet në gurë të çmuar dhe diamante, në të cilat, sipas tij, Dumani investon të ardhurat.

“Meqenëse ai (Dumani) iku, se ju jeni të gjithë në dorën e tij, mëkatarë, tani do lexoj mesazhin e një qytetari për të. “Doktor, mirëmbrëma. Një burim nga prokuroria më informon sonte lidhur me një çështje në proces hetimi. Altin Dumani ka bërë një marrëveshje për 5 milionë euro lidhur me dosjen e shtetasit Kreshnik Farruku nga Manza, Durrës, mik dhe bashkëpunëtor i Xhevdet Troplinit dhe Elvis Troplinit. Ky shtetas ka një procedim në shtetin italian për tre episode. Në Savona, në Gjenoa, në Ankona janë kapur sasi të mëdha kokaine. Për këtë fakt ka dhe procedim penal në shtetin italian dhe gjykata e Durrësit i ka vendosur masë sigurimi për ekstradim. Më pas, SPAK, pas marrëveshjes prej 5 milionë eurosh, ka filluar procedimin për të njëjtat fakte të ndodhura në shtetin italian dhe i vendos masë sigurimi. Me datën 11.5.2025, Gjykata e Lartë, kundrejt një shume të lartë parash, i hoqi masën e arrestit dhe e la me detyrim paraqitje. Dumani ka premtuar që t’i kalojë përgjegjësinë vëllait të tij, duke manipuluar telefonatat e kriptuara dhe duke ia atribuuar vëllait të tij. Shuma e marrëveshjes do konvertohet në gurë të çmuar, diamante. Personi ku investon të ardhurat Dumani është daja i bashkëshortes, Anton Pango, person me precedent penal”, tha Berisha.

Berisha shtoi se opozita ka një problem me kreun e SPAK, pasi ky është një armik i egër i votës së lirë. Lideri i opozitës theksoi gjithashtu se nëse Edi Rama është dhunuesi kryesor i votës së lirë, Dumani është avokati i dhunimit. Sipas tij, Dumani është avokati më i shëmtuar i korrupsionit.

“Dosjet ndërkombëtare, të publikuara në të gjitha mediat e botës, i amnistoi. Në atë kohë kam deklaruar publikisht se ai është armik i egër i opozitës dhe u garantoj se të tillë do e konsiderojmë deri ditën e fundit tonë. Aty flitej për Ulsiun, flitej për Edi Ramën, për Pjerinin, për të gjithë me radhë. Dhe që të gjithë janë, nuk kanë kryer asgjë, sepse ia bënë armikut, opozitës. Ai është avokati më i shëmtuar i korrupsionit. Doni ju të dini disa tregues se ai foli për tregues sikur po lexonte ndonjë portal. Indeksi i përgjithshëm i shtetit ligjor, në vitin 2015, Shqipëria renditej e 52-ta në botë. Në vitin 2024, Shqipëria renditet 37 vende më poshtë sipas World Justice Project. Treguesi i korrupsionit, në vitin 2015, Shqipëria renditej e 78-a, në vitin 2025, Shqipëria renditet 29 vende më poshtë. Për ndërhyrjen e qeverisë, për pavarësinë që flisni ju, në vitin 2015, Shqipëria renditej e 52-ta, në vitin 2024, Shqipëria renditet e 106-a, përkeqësim 100 përqind”, tha Berisha.

Scroll to Top