(FOTOLAJM) Berisha dhe Salianji, të dy në foltoren e sotme para kryeministrisë
Opozita mban sot protestën e radhës, e treta, para Kryeministrisë, e njohur ndryshe edhe si “Foltorja”. Të pranishëm janë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, qytetarë dhe deputetë të tjerë të opozitës.
Bashkë me ta është edhe ish-deputeti Ervin Salianji, i cili ditë më parë nisi nga Durrësi një lëvizje për riorganizimin e PD-së. I shoqëruar nga mbështetësit e tij, kreu i Partisë Demokratike u prit me duartrokitje dhe thirrje në sheshin pranë bulevardit, para godinës së ekzekutivit.
Në këtë tubim diskutohen skandalet e qeverisë, veçanërisht ato të zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe është dënuar nga GJKKO me masë sigurie pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit, lidhur me tenderin e tunelit të Llogarasë.
Para se në foltore të ngjitej për të folur kryetari Berisha, fjalën e morën përfaqësues nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe deputetë opozitarë. Mes tyre ishin edhe ish-Studentë të Dhjetorit 1990, me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë dhe lëvizjes studentore.
