Berisha: Fermeri folës, zëri i shqiptarëve kundër Ramës

Berisha: Fermeri që foli dje kundër Ramës, foli në emër të të gjithë shqiptarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se fermeri që ngriti zërin në Divjakë kundër Kryeministrit Edi Rama, shprehu shqetësimin jo vetëm të fermerëve, por të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, lideri i opozitës theksoi se përkeqësimi i kushteve për fermerët nuk është vetëm një problem sektorial, por një pasojë e politikave të dështuara të qeverisë, të cilat kanë çuar në recesionin e prodhimit bujqësor dhe rritjen e çmimeve.

PJESË NGA BISEDA:

Pyetje: Zoti Berisha, dje në Divjakë, fermeri që foli u injorua nga Rama, si e komentoni këtë situatë?

Sali Berisha: Së pari, fermeri që foli, foli me guxim në emër të gjithë fermerëve shqiptarë. Por e vërteta është se ai foli jo vetëm në emër të fermerëve, por në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ai foli në emër të fermerëve sepse fermerët shqiptarë janë në kushte falimentimi, pasi prodhimi bujqësor ka dy vite që është në rënie, në recesion.

Ai foli në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, sepse rënia e prodhimit bujqësor ka sjellë rritjen e çmimeve në Shqipëri, duke i bërë ato më të shtrenjta se në Itali dhe Greqi, vende me paga 5-7 herë më të larta se ato të shqiptarëve.

Kurse përgjigjet e Edi Ramës ishin ato të një njeriu në panik, arrogant, i cili u përpoq të shpëtonte nga pyetjet e drejta me arrogancën e neveritshme të një njeriu në agoni politike.

Scroll to Top