**Titulli:** Berisha: Më 10 shkurt, populli do të marrë fatin në dorë
**Përmbajtja:**
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë protestës së fundit të opozitës, dërgoi një mesazh drejtuar qeverisë “Rama” dhe institucioneve ndërkombëtare. Duke shprehur mirënjohje për qytetarët që morën pjesë në protestën e 24 janarit, Berisha theksoi se ata mbushën rrugët dhe sipas tij, trembën “regjimin”.
“Mirënjohje të pakufishme ndaj jush, qytetarë dhe qytetare opozitarë, guximtare dhe guximtarë që sakrifikoni në këtë protestë, në të cilën ju përfaqësoni zërin e ndërgjegjes qytetare shqiptare. Përfaqësoni guximin e tyre, kurajën, vendosmërinë, dashurinë për lirinë dhe për këtë vend. U përshëndes përzemërsisht dhe përshëndes të gjithë ata shqiptarë që mbushën rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe trembën një regjim antishqiptar. Trembën një regjim armik të këtij kombi, armik të këtij vendi. Me protestën e tyre dërguan në të katër anët e botës, në të gjitha sheshet e kryeqyteteve, në të gjitha kancelaritë e vendeve të NATO-s, BE dhe në Uashington mesazhin e qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk pajtohen kurrë me një regjim që i plaçkit ata çdo ditë”, u shpreh Berisha.
Ai bëri thirrje për vazhdimin e protestave deri në fitore, duke theksuar se kjo është një betejë për dinjitetin kombëtar, pasuritë e Shqipërisë dhe të ardhmen e rinisë.
“Kjo është betejë për dinjitetin tonë, kjo është betejë për dinjitetin kombëtar, kjo është betejë për t’u ngritur mbi propagandën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve dhe të Edi Ramës dhe për t’i thënë shqiptarëve dhe botës se në këtë vend, në këtë tokë, ata që e duan Shqipërinë jemi ne, ata që i besojnë Shqipërisë jemi ne. Miq, rrugën përpara nuk e kemi të lehtë, por e kemi të qartë si rrezja e diellit. Misionin nuk e kemi të lehtë, por jemi më të vendosur se kurrë ta përmbushim atë. Dhe fatin tonë të kemi fatin e Shqipërisë. Shqipëria dhe fati ynë është një. A mundet ne, që ëndrrat, fatin ta provojmë në vende të tjera? Jo, ne do të luftojmë këtu. Ne do bëjmë gjithçka të përmbysim këtë të keqe të madhe për të shndërruar pasuritë e Shqipërisë në begati për shqiptarët. Për të rikthyer ëndrrën shqiptare, shpresën, besimin tek Shqipëria të rinisë shqiptare. Ne dalim dhe do të dalim në protesta gjer në fitore se ne i besojmë Zotit, por i besojmë edhe Shqipërisë. I besojmë se kjo tokë është e bekuar, se ky vend ka pasuri përrallore, se Shqipëria është e bukura e dheut dhe mund të bëhet vendi i ëndrrës shqiptare.”
“10 shkurti është dita tjetër e kryengritjes sonë paqësore. Në 10 shkurt shqiptarët ftohen në rrugët dhe sheshet e Tiranës. T’i japim leksionin e merituar këtij regjimi. Rama është diktatori i drogës së shqiptarëve, prandaj shqiptarët duhet t’ja rezervojnë atij fatin e Enver Hoxhës. Rama duhet vetëm të japë dorëheqjen, nuk ka alternativë tjetër. Populli do të marrë fatin në dorë. Ju bëj thirrje efektivë të nderuar, që të mos zbatoni urdhrat e atyre që ju drejtojnë. Ju bëj thirrje të jeni me qytetarët që mbrojnë familjet tuaja. Kam vënë re që edhe keni gjuajtur. Mos i zemëroni qytetarët, se zemërimit të tyre nuk iu shpëton kush. Mos merrni misionin e gabuar, se gjithë jetën do ju rëndojë ndërgjegja. Nuk mbrohet organizata kriminale, e as hajdutët. Mund të bashkoheni dhe me qytetarët”, përfundoi Berisha.
