Berisha i bën thirrje partive të reja t’i bashkohen protestës së sotme
Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, përsëriti thirrjen e tij drejtuar Adriatik Lapajt dhe partive të tjera opozitare, që t’i bashkohen protestës së opozitës kundër qeverisë aktuale.
“Nuk matet gjëja me numra. Mësimi i historisë së Shqipërisë ka vlerë botërore. Pakicat që kanë fituar kundër stërshumicave nuk gjen kund tjetër. Ne dalim aty me guximin e shqiptarit, me idealet më fisnike të njeriut, për të larguar këtë njeri që mori licencën nga Gjykata Kushtetuese. Licencën mund t’ia japë gjykata, por jo jetëgjatësinë populli”, pohoi ai.
Ai shtoi se kryeministri Rama, pavarësisht se mori licencë për vjedhje nga Gjykata Kushtetuese, populli nuk do ta falë.
“Lapaj ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për sa kohë gjendet në protestë. Kushdo që proteston kundër qeverisë, ka mbështetjen time. Ftesa ime për Lapaj dhe partitë opozitare është që të bashkohemi kundër kësaj të keqe të madhe. Kryetari i një partie ka planet e veta”, tha ai.
