Berisha i kërkon falje ambasadorit të BE, por sqaron deklaratën

Berisha: Nëse Gonzato e konsideron fyerje, i kërkoj falje, por vetë ambasadori deklaroi se jeton me një burrë.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot nga jashtë Parlamentit se i kërkon falje ambasadorit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, nëse deklarata e tij e mëhershme është konsideruar si fyerje.

Berisha u shpreh se “është gjëja më e thjeshtë të kërkoj ndjesë”, por shtoi se sipas tij, ka qenë vetë ambasadori Gonzato ai që ka deklaruar se pas martesës së tij të parë, tani jeton me një partner mashkull.

Ai theksoi se deklarata e tij u përdor pa asnjë qëllim fyerjeje dhe se ishte, sipas tij, një përsëritje e asaj që ambasadori vetë kishte thënë.

“Gjëja më e thjeshtë për mua është të kërkoj falje. Por nëse ambasadori Gonzato, në një deklaratë të bërë publike vetë, ka thënë se kam qenë i martuar dhe kam një djalë 31-vjeçar dhe tani jetoj me një partner ose jam i martuar me një burrë, dhe kjo deklaratë u përdor nga unë, absolutisht pa asnjë intencion fyerjeje,” tha Berisha.

Ai shtoi: “Unë jam autor i një ligji që i ka dhënë fund në mënyrë përfundimtare çdo forme diskriminimi. Thashë këtu që vetë ka qenë binar dhe pastaj ka ndryshuar mendje. Nuk kisha bërë asnjë hetim në jetën e tij. As merrem me jetën e asnjë njeriu. E dëgjova, tha vetë dhe ka bërë këtë deklaratë. Se si qenka fyerje kjo, unë këtë nuk e konceptoj. Kam përdorur një deklaratë, një gjë që e kam thënë vetë. Nëse ai e konsideron këtë fyerje, atëherë unë sigurisht do ta rikonsideroj qëndrimin tim, i kërkoj falje, nuk kam asnjë hezitim, por nuk ishte për fyerje kjo. Nuk përbën fyerje kjo,” – tha Berisha.

Më herët për këtë çështje reaguan Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos, dhe kryeministri Edi Rama.

Scroll to Top