Berisha: Integrimi Europian Rrezikohet nga Dosjet Balluku e AKSHI

Berisha: Procesi i integrimit rrezikon të anulohet për shkak të dosjeve Balluku dhe AKSHI

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në takimin e zhvilluar në Kamëz se procesi i integrimit europian të Shqipërisë rrezikon të pezullohet. Sipas tij, arsyeja është nxjerrja në pah e “grabitjeve spektakolare të parave të qytetarëve” përmes dosjeve Balluku dhe AKSHI.

Berisha theksoi se kryeministri Rama ka zhvilluar disa takime të tensionuara kohët e fundit në Bruksel lidhur me këtë çështje. Ai shtoi se qëllimi i Ramës është të pengojë drejtësinë dhe të kontrollojë çdo fazë të proceseve shtetërore, duke manipuluar institucionet dhe duke penguar funksionimin normal të mekanizmave të drejtësisë.

Duke iu referuar rastit të gjyqtarëve, Berisha tha: “Gjykatësit marrin katër seanca për një vendim që absolutisht nuk duhet të ishte në kompetencën e tyre. Çdo qytetar i drejtohet Gjykatës së Apelit, nga Apeli te Gjykata e Lartë, nga Gjykata e Lartë te Gjykata Kushtetuese. Kurse Lubia, dhe këta gjykatës direkt te Gjykata Kushtetuese, e mbajnë dy muaj. Ajo dy muaj duke fabrikuar, duke grisur dokumente. Vetëm se ajo është Edi Rama. Më e pamoralshme se ajo nuk ka njeri, por ajo është Edi Rama.”

Ai vijoi: “Rama ishte i gatshëm, këto 3-4 ditë ka pasur mbledhje shumë të rënda në Bruksel, me variante nga më ndëshkueset. Dhe që të anulohet i gjithë procesi i integrimit, të ktheheshim te marrëdhënia tregtare e vitit ’92. Heqja e vizave, hapja e negociatave. Sepse ka vjedhur dhe kërkon me çdo kusht të bllokojë drejtësinë. Kjo është situata ku ndodhemi.”

Scroll to Top