Berisha nga selia: Lironi menjëherë 25 protestuesit, po përmbysim diktaturën e dytë
Pas përfundimit të protestës përballë Kryeministrisë dhe Kuvendit, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli me një deklaratë nga selia e partisë. Kreu i PD-së theksoi se beteja e tyre kundër qeverisë do të jetë e vazhdueshme.
Ai i bëri thirrje komisariateve të lironin menjëherë 25 protestuesit e arrestuar. Sipas Berishës, ky moment shënon fundin e fundit të rrugëtimit drejt fitores.
“Duhet të betohemi se me këtë betejë, ky do të jetë kilometri ynë i fundit, do të jetë fundi i merituar i Edi Ramës dhe narkoqeveritarëve të tjerë. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të cilët në mënyrë absolute nuk kanë kryer asnjë veprim dhe janë arrestuar vetëm si akt hakmarrjeje me urdhër të Edi Ramës. I kërkoj komisariateve t’i lirojnë menjëherë, të mos zbatojnë asnjë urdhër që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi: “Nuk mundet kurrë, një popull me asgjë… Ju e patë gatishmërinë e atyre njerëzve, që ishin të gatshëm t’i jepnin Edi Ramës në 30 minuta atë që meriton. Ne kemi një mision dhe vetëm një mision, përmbysjen e këtij regjimi kriminal. Asgjë s’e shpëton më këtë. Fatin e Enver Hoxhës do ketë. Beteja me diktaturën është një qëndresë e vazhdueshme, një betejë e pandërprerë, një betejë. Të pamposhturit opozitarë, ata që bëjnë të pamundurën të mundur.”
Për protestën e ardhshme, Berisha tha se do të njoftohet më vonë.
