Berisha i ngre zërin Altin Dumanit në kuvend
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka tërhequr vëmendjen shefit të SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit të këtij të fundit në parlament. Dumani nuk e lexoi të plotë pyetjen e bërë nga Jorida Tabaku, duke u mjaftuar me një përgjigje të përgjithshme, gjë që nuk i ka pëlqyer Sali Berishës. Ai është ngritur nga vendi dhe ka shprehur kritika me zë të lartë.
“Lexohet pyetja dhe pastaj përgjigjja. Jo të lexohet një pyetje hajde pastaj, a kupton?” ka thënë Berisha. Pas kësaj, Altin Dumani ka ndryshuar mënyrën se si i është referuar pyetjeve të deputetëve të opozitës, duke i lexuar ato fjalë për fjalë.
Kjo është hera e parë që Berisha dhe Dumani përballen publikisht. Deri më sot, kreu i opozitës i është referuar Dumanit me emrin “Altin Troplini”, duke e akuzuar se ndihmoi në arratisjen e Elvis Doçit, një trafikant droge pjesë e klanit Troplini.
