Berisha kundër aeroportit të Vlorës: “Injorancë e madhe”

Berisha kundër aeroportit të Vlorës: Brigjet shqiptare nuk janë Antalya dhe as Kreta

Sali Berisha, gjatë zhvillimit të “Foltoreve” në degët 1 dhe 3 në Tiranë, ka trajtuar disa çështje të rëndësishme. Kreu i PD-së u ndal edhe te aeroporti i Vlorës dhe premtimi i qeverisë për ta bërë atë aeroportin më të madh në Ballkan.

Berisha deklaroi se ky aeroport nuk është i nevojshëm për Shqipërinë, duke argumentuar se uji i detit në dimër është i ftohtë dhe mungon turizmi, prandaj një aeroport me përmasa të tilla nuk justifikohet për “tre muaj turizëm”. Ai e cilësoi këtë situatë si “injorancë të madhe”.

Megjithatë, duket se kreu i PD-së nuk ka marrë parasysh përpjekjet aktuale për të siguruar që resortet e ndërtuara dhe miratuara në jug të vendit të operojnë gjatë gjithë vitit.

Ai shtoi:

  • “Aeroporti i Vlorës. Do të dalin gjithnjë e më shumë në dritë korrupsioni i tmerrshëm me të. Duke dalë, meqë po kryhet një nga vjedhjet më të mëdha në Ballkan, thoni që ky është aeroporti më i madh në Ballkan. Po çfarë injorance… Si mund t’i shesësh këtë injorancë? Çfarë duhet aeroporti më i madh në Ballkan në Vlorë? Na thuaj pak. Çfarë duhet?
  • Brigjet shqiptare nuk janë brigje dimërore, nuk janë Antalya dhe as Kreta. Kjo është e njohur. Ujërat shqiptare në dimër nuk janë ujëra për turizëm. E çfarë e do atëherë, për tre muaj verë do të ndërtosh aeroportin më të madh në Ballkan?
  • Në një kohë kur i gjithë bregu sot për sot ka 12 mijë shtretër, nga Vlora gjer në Kepin e Stillës. Doli dikush në atë ministri, që kishte thënë të ndërtojmë fillimisht 30 milionë euro dhe kur ky të plotësojë pasagjerët, shtojmë 30 milionë e kështu me radhë. Aeroporti i Tiranës eci në këtë formë. Jo këta, sepse duan të vjedhin.
  • Duhet t’ia shpjegoni çdo njeriu, nga taksat tuaja çdo vit do t’i paguhen kompanisë dhjetëra milionë euro bileta,” tha Berisha.
Scroll to Top