Berisha i përgjigjet Ramës për Ballukun: Paralizë e sajuar për t’u përdorur si mburojë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili ditën e djeshme deklaroi se pezullimi i Belinda Ballukut me vendim të Gjykatës Kushtetuese, ka paralizuar punën e qeverisë.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Berisha thekson se kjo është një mashtrim, pasi nuk ekziston asnjë pengesë ligjore apo kushtetuese që pezullimi i një ministri të pengojë funksionimin e qeverisë. Sipas kryedemokratit, paraliza për të cilën flet Rama është e sajuar qëllimisht për t’u përdorur si mburojë dhe mbrojtje në Gjykatën Kushtetuese.
“Në fakt, kjo është një paralizë e sajuar dhe e qëllimshme nga vetë bashkëhajdutët Rama – Balluku, për ta përdorur atë si mburojë dhe mbrojtje në Gjykatën Kushtetuese. Ky është rasti i parë në botë ku një kryeministër shndërrohet në avokat të ministrit të tij hajdut, dhe vetëm se ai është hajduti kryesor,” shkruan Sali Berisha, duke iu referuar kushtetutës dhe ligjit.
Berisha sjell në vëmendje edhe rastin e tij, kur Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, nën presionin e Ramës, hodhi poshtë kërkesën e 30 deputetëve të PD-së për shqyrtimin e vendimit antikushtetues të SPAK-ut për kufizimin e lëvizjes personale.
“Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, nën presionin gjithanshëm të Ramaduros, i cili në mënyrë antikushtetuese hodhi poshtë kërkesën e 30 deputetëve të PD-së për shqyrtimin e vendimit antikushtetues të SPAK-ut për kufizimin e lëvizjes sime personale gjatë një hetimi, duke pretenduar në mënyrë absurde se 30 deputetë nuk legjitimoheshin për kërkesën e tyre, me një standard antikushtetues do të vendosë më datën 12 dhjetor, në kundërshtim flagrant me ligjin, për shqyrtimin e kërkesës së Edi Ramës për anulimin e pezullimit të Belinda Ballukut, duke i dhënë kështu goditjen fatale organit garant të Kushtetutës,” përfundon postimin e tij Berisha.
