Berisha: Kushtetuta nuk mbron ministrat nga pezullimi

Berisha: Neni i Kushtetutës nuk ofron mbrojtje për pezullimin e ministrave

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se Kushtetuta nuk parashikon imunitet për ministrat ndaj pezullimit, duke e dalluar këtë nga imuniteti që gëzojnë deputetët. Ai akuzoi qeverinë dhe Belinda Ballukun për mashtrim publik, me qëllim vijimin e veprimeve korruptive dhe abuzimeve me tenderimet.

Berisha iu referua nenit 103/3 të Kushtetutës, i cili, sipas tij, jep imunitet vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por jo për ministrat e kabinetit lidhur me pozicionin e tyre.

“Neni 103/3 i Kushtetutës u jep ministrave vetëm imunitetin e deputetit për mendimet dhe votat e tyre, jo mbrojtje nga pezullimi nga detyra ekzekutive. Çdo pretendim i kundërt nga Rama–Balluku është mashtrim i pastër politik, i cili synon mbrojtjen e vjedhjes së përbashkët!”, shkroi Berisha në një postim në Facebook.

Zv/kryeministrja Belinda Balluku aktualisht është marrë e pandehur nga SPAK për dy dosje abuzive, ndërsa GJKKO ka vendosur masën e sigurisë për pezullimin e saj nga detyra, bllokimin e pasaportës dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Ministrja e Energjetikës dhe Infrastrukturës është aktualisht e pezulluar. Ndërkohë, Kryeministria ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për sqarim nëse GJKKO ka hyrë në kompetencat e Ekzekutivit me vendimin për pezullimin, duke qenë se qeveria mbetet pa zv/kryeministër.

Balluku akuzohet për tenderin prej 190 milionë eurosh për tunelin e Llogarasë, për shkelje të barazisë në tenderë, si dhe dyshime për abuzim me 50 milionë euro në këtë prokurim, të cilat janë shtuar në fondin për realizimin e veprës.

Ajo akuzohet gjithashtu edhe për paracaktimin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, ndërsa hetimet janë ende në proces.

Balluku ka mohuar akuzat, por SPAK ka në dosjen e saj përgjime të nxjerra nga telefoni i ish-kryetarit të arrestuar të ARRSH-së, Evis Berberi, ku diskutohet për paracaktimin e tenderimeve.

Scroll to Top